Blinken sërish në Egjipt për bisedime mbi arritjen e një armëpushimi në Rripin e Gazës

Kairo, 17 shtator 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të udhëtojë në Egjipt të martën mes përpjekjeve të vazhdueshme për të angazhuar partnerët kryesorë rajonalë në Lindjen e Mesme për të paraqitur një propozim të rishikuar për një armëpushim në Rripin e Gazës.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller, u tha gazetarëve të hënën se “Ne vazhdojmë të angazhohemi me partnerët tanë në rajon, veçanërisht me Egjiptin dhe Katarin, për atë që do të përmbajë ai propozim, në mënyrë që palët të arrijnë një marrëveshje përfundimtare.”

Shtetet e Bashkuara nuk kanë dhënë një afat kohor për propozimin e rishikuar, megjithëse zyrtarët janë shprehur se ai do të paraqitet së shpejti. Propozimi synon të zgjidhë çështjet kryesore që kanë shkaktuar ngërçin disamujor në bisedimet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti, me synimin për të siguruar një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit dhe lirimin e pengjeve të rrëmbyera nga Hamasi në fillim të luftës më 7 tetor 2023.

Në Kajro, zoti Blinken do të bashkëkryesojë seancën hapëse të Dialogut Strategjik SHBA-Egjipt me Ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty. Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me udhëheqësit egjiptianë për të diskutuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në Gazë, lirimin e të gjitha pengjeve, lehtësimin e vuajtjeve të civilëve palestinezë dhe sigurinë rajonale, tha zëdhënësi Miller.

Megjithatë, udhëtimi i dhjetë i Sekretarit të Shtetit Antony Blinken në Lindjen e Mesme që nga 7 tetori 2023, nuk përfshin një ndalesë në Izrael për bisedime me udhëheqësit e tij.

Më herët të hënën, zoti Blinken u takua me udhëheqësin e opozitës izraelit dhe ish-kryeministrin Yair Lapid.

Pas takimit në Departamentin e Shtetit, zoti Lapid u tha gazetarëve se Izraeli ka nevojë për një marrëveshje për lirimin e pengjeve dhe përfundimin e luftës në Rripin e Gazaës, duke theksuar se asnjë proces politik apo pengesë nuk duhet të ndikojë në arritjen e një marrëveshjeje. Zoti Lapid i kërkoi Shteteve të Bashkuara të mos e lejojnë Hamasin “të shmang arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve”.

“Izraeli si një komb nuk do të shërohet nëse nuk i kthejmë pengjet e mbetura në vend. Kjo është thelbësore për ekzistencën tonë”, tha zoti Lapid pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit Antony Blinken.

Ndërkohë, në Rripin e Gazës, zyrtarët palestinezë njoftuan se një sulm ajror izraelit shkaktoi vdekjen e të paktën 16 personave të hënën, në mesin e tyre pesë gra dhe katër fëmijë.

Sulmi shkatërroi një shtëpi në kampin e refugjatëve në Nuseirat, në pjesën qendrore të Gazës, duke vrarë të paktën 10 persona, përfshirë katër gra dhe dy fëmijë. Një sulm tjetër ndaj një shtëpie në qytetin e Gazës shkaktoi vdekjen e gjashtë personave, përfshirë një grua dhe dy fëmijë, sipas Mbrojtjes Civile, një grup i punonjësve të emergjencave që veprojnë nën menaxhimin e qeverisë së Hamasit.

Numri i palestinezëve të vrarë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, ka arritur në mbi 41,000. Kjo ministri, e udhëhequr nga Hamasi, nuk bën dallim mes civilëve dhe militantëve të vrarë, por thotë se sipas të dhënave të saj mbi gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë. Izraeli thotë se ka vrarë 17,000 militantë, por nuk ka ofruar prova.

Lufta Hamas-Izrael filloi më 7 teotor të vitit 2023, pas një sulmi nga militantët e Hamasit në Izraelin jugor, në të cilin u vranë 1,200 njerëz, kryesisht civilë dhe u rrëmbyen 250 të tjerë. Hamasi është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Bashkimi Evropian dhe një numër vendesh të tjera perëndimore.

(Zëri i Amerikës)