Uashington, 2 mars 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se Uashingtoni është skeptik se bisedimet ruso-ukrainase që pritet të vazhdojnë të enjten do të kenë ndonjë rezultat.
Ai tha se Uashingtoni ia ka bërë të qartë Kievit se do t’i mbështesë përpjekjet për zgjidhje diplomatike të konfliktit me Rusinë, por theksoi se rruga diplomatike do të jetë e vështirë pa ndërprerjen e operacioneve ushtarake.
Sekretari amerikan i Shtetit shprehu keqardhje që shumë qytetarë rusë do të goditen nga masat e ndërmarra nga Perëndimi si kundërpërgjigje ndaj vendimit të presidentit Vladimir Putin që të pushtojë Ukrainën. Ai tha se Shtetet e Bashkuara e dijnë se shumë prej rusëve nuk do të donin të kishin të bënin me vendimin e Putinit për ta sulmuar Ukrainën.
Zoti Blinken foli edhe për dimensionin humanitar të agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai tha se më shumë se 174,000 refugjatë ukrainas po kërkojnë strehim të sigurt në vendet aty pranë.
Sekretari Blinken tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara po punojnë për të mbështetur vendet që ndodhen në vijën e parë të frontit: Poloninë, Moldavinë, Rumaninë dhe Sllovakinë.
Më herët Departamenti i Shtetit njoftoi se zoti Blinken do të arrijë këtë javë në Evropë, për të zhvilluar diskutime me aleatët e NATO-s dhe me partnerët evropianë mbi agresionin rus ndaj Ukrainës.
Nga 3 deri më 8 mars, Blinken do të vizitojë Belgjikën, Poloninë, Moldavinë, Letoninë, Lituaninë dhe Estoninë.
(Sipas Zërit të Amerikës)