Blinken siguron afganët se SHBA do ta vazhdojë mbështetjen

Kabul, 15 prill 2021 – Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri të enjten një vizitë të papritur në Afganistan për të siguruar udhëheqësit dhe publikun afgan se vendimi i Presidentit Joe Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nuk do të thotë ndërprerje e mbështetjes për këtë vend, raporton Zëri i Amerikës.

Vizita e z. Blinken në Afganistan realizohet një ditë pasi Presidenti Biden njoftoi se të 2500 ushtarët e mbetur amerikanë në Afganistan do të kthehen në atdhe deri më 11 shtator, date që përkon me 20 vjetorin e sulmeve terroriste, të cilat çuan në ndërhyrjen amerikane.

Zoti Blinken u takua me Presidentin afgan Ashraf Ghani, me kreun e ekzekutivit Abdullah Abdullah dhe me personalitete civile. Ai i siguroi ata se tërheqja nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve SHBA-Afganistan.

“Me vizitëntime dua të demonstroj angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara për  Republikën Islamike dhe për popullin e Afganistanit,” i tha Sekretari Blinken Presidentit Ghani, gjatë takimit në pallatin presidencial në Kabul.

“Partneriteti po ndryshon, por vetë partneriteti është i qëndrueshëm,” tha ai.

“Ne e respektojmë vendimin dhe po ndryshojmë përparësitë tona,” tha nga ana e tij zoti Ghani, duke shprehur mirënjohje për sakrificat e trupave amerikane.

Sekretari Blinken përsëriti mesazhin e tij edhe gjatë takimit me zotin Abdullah.

“Kemi hyrë në një kapitull të ri, por është një kapitull i ri që po e shkruajmë së bashku”, tha ai.

Ndërsa Abdullah shprehumirënjohje për SHBA-të.

“Ne u jemi mirënjohës popullit tuaj, vendit tuaj, administratës suaj”, tha zoti Abdullah.

Sekretari Blinken shkoi në kryeqytetin afgan nga Brukseli, ku ai dhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i informuan zyrtarët e NATO-s mbi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani dhe ku nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, u njoftua se edhe trupat e aleancës do të largohen nga ky vend.

Zyrtarët e SHBA-së dhe NATO-s janë përpjekur ta përligjin vendimin, duke thënë se misionet e udhëhequra nga SHBA dhe NATO-ja në Afganistan e kanë arritur qëllimin e tyre për të shkatërruar rrjetin al-Kaida të Osama bin Ladenit.

Por, tërheqja e trupave ushtarake nga Afganistani është pritur me kritika nga disa ligjvënës amerikanë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët druajnë se tërheqja do të rezultojë me humbjen e lirive që afganët i fituan pas rrëzimit të talebanëve nga pushteti, në fund të vitit 2001.

Pavarësisht nga ndihmat amerikane prej miliarda dollarësh, sipas Bankës Botërore, Afganistani ka një normë varfërie prej 52 për qind. Kjo do të thotë që më shumë se gjysma e 36 milion afganëve jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë.

Sipas Institutit Georgetoën për Paqen dhe Sigurinë e Grave, Afganistani konsiderohet një nga vendet më të këqija në botë për gratë.

Për shumë afganë, dy dekadat e fundit kanë qenë zhgënjyese, për shkak tëshkallës së lartë të korrupsionit. Zyrtarët e lartë qeveritarë dhe komandantët e fuqishëm të luftës kanë grumbulluar pasuri dhe kanë krijuar milici besnike, të armatosura mirë, që janë nëshërbim të tyre.

 Shumë afganë druajnë se pas largimit të trupave amerikane, kaosi në vend do të thellohet.

(r.m.)