Blinken synon të vazhdojë punën për përfundimin e konflikteve në Lindjen e Mesme

Uashington, 8 nëntor 2024 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, planifikon të punojë deri në fund të mandatit për t’i dhënë fund luftërave në Gazë dhe Liban.

Administrata e re amerikane do të udhëhiqet nga republikani Donald Trump, i cili fitoi zgjedhjet presidenciale amerikane të 5 nëntorit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë në përfundimin e luftës në Gazë, përfundimin e luftës në Liban, rritjen e ndihmës humanitare [në Gazë]. Kjo është detyra jonë, që të ndjekim këto politika deri më 20 janar, kur presidenti i zgjedhur merr detyrën”, tha për gazetarët zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

Blinken, i cili ka realizuar 11 udhëtime në Lindjen e Mesme që kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – tetorin e vitit të kaluar sulmoi Izraelin, duke nxitur luftën në Gazë. Kryediplomati amerikan për muaj të tërë ka punuar për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi në Gazë, që përfshin edhe lirimin e pengjeve që u morën nga Hamasi.

Izraeli po ashtu po lufton në Liban kundër Hezbollahut, grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e jugut të Libanit. Hezbollahu është shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja, ndërkaq BE-ja ka në listë të zezë krahun politik të grupit, por jo edhe partinë politike. Partia e Hezbollahut ka ulëse në Parlamentin libanez.

Trump ka sugjeruar që do t’i japë më shumë liri Izraelit, teksa po vazhdon lufta n Gazë, dhe ka kritikuar qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili është përballur me kritika edhe nga demokratët për mosfrenimin e mëtejmë të aleatit të SHBA-së.

Miller tha se Blinken ka emëruar Steve Mull, ish-diplomat karriere, për të menaxhuar tranzicionin me ekipin e Trumpit.

Presidenti amerikan, Joe Biden, më 7 nëntor në paraqitjen e parë që kur Trump fitoi zgjedhjet, garantoi se do të ketë një transferim paqësor të pushtetit, në kontrast me Trumpin, i cili refuzoi të njihte fitoren e Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020.

Më 20 janar 2025, Trump do të inaugurohet si presidenti i 47-të i SHBA-së.

(Radio Evropa e Lirë)