Uashington, 31 janar 2023 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u takua me udhëheqësit e Izraelit dhe presidentin e Autoritetit Palestinez, në përpjekje për të ulur tensionet në rajon. Situata është përkeqësuar muajt e fundit. Zoti Blinken gjatë takimeve në Izrael dhe Bregun Perëndimor ka ri-konfirmuar mbështetjen e Uashingtonit për zgjidhjen e konfliktit përmes krijimit të dy shteteve dhe kundërshtimin e zgjerimit të vendbanimeve nga Izraeli në territoret e pushtuara.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të martën me Presidentin palestinez Mahmud Abbas në Bregun Perëndimor duke bërë thirrje për ndalimin e dhunës dhe duke përsëritur mbështetjen e Uashingtonit për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin prej dekadash mes Izraelit dhe palestinezëve. Zoti Blinken gjithashtu përsëriti kundërshtimin amerikan që Izraeli të vazhdojë ndërtimin e vendbanimeve në territoret e pushtuara.
Autoritetet palestineze thonë se bastisjet e muajve të fundit nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor kanë shkaktuar vrasjen e mbi 200 njerëzve, civilë dhe luftëtarëve militantë.
Një ditë më parë zoti Blinken u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.
“Presidenti Biden mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj qëllimit ku palestinezët dhe izraelitët gëzojnë masa të barabarta lirie, sigurie, mundësish, drejtësie dhe dinjiteti. Ne vazhdojmë të besojmë se mënyra më e mirë për ta arritur atë është përmes realizimit të vizionit të dy shteteve. I thashë edhe kryeministrit Netanjahu që çdo gjë që na largon nga ai vizion, sipas gjykimit tonë, është e dëmshme për sigurinë e Izraelit dhe identitetin e tij afatgjatë si një shtet hebre dhe demokratik”, tha zoti Blinken.
Shtatë persona u vranë të premten nga një person i armatosur që hapi zjarr pranë një sinagoge në Jerusalemin Lindor. Autori i sulmit u vra nga policia.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, pas takimit me Sekretarin amerikan të Shtetit, Blinken, ka bërë vetëm një deklaratë në lidhje me Iranin, pa përmendur dhunën e javëve të fundit.
“Unë mendoj se ka një konsensus që regjimi i Iranit nuk duhet të ketë armë bërthamore. Mund të përsëris diçka që më keni dëgjuar ta them shumë herë, politika jonë dhe politika ime është të bëjmë gjithçka brenda fuqisë së Izraelit për të parandaluar Iranin nga sigurimi i armëve bërthamore”, tha kryeministri izraelit, Netanjahu.
Raundi i fundit i bisedimeve të organizuara nga SHBA-të për themelimin e një shteti palestinez, përkrah Izraelit ka ngecur që prej vitit 2014.
Qeveria e re e vijës së ashpër të Netanyahut përfshin partnerë që kundërshtojnë shtetësinë palestineze.
(Zëri i Amerikës)