Blinken uron qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë: Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës

Uashington, 17 shkurt 2022 – Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar qytetarët e Kosovës në 14 vjetorin e pavarësisë.

“Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, uroj popullin e Kosovës që feston katërmbëdhjetëvjetorin e shtetit sovran dhe të pavarur”, thuhet në deklaratën e sekretarit Blinken, të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Blinken ka thënë se pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe ka theksuar se ndërtimi i institucioneve demokratike dhe gjithëpërfshirëse kërkon këmbëngulje.

“Partneriteti i qëndrueshëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës i ka rrënjët në vlerat tona të përbashkëta demokratike. Si një nga demokracitë më të reja në botë, Kosova dhe qytetarët e saj me të drejtë janë krenarë për përparimin që keni bërë gjatë këtyre 14 viteve. Ne jemi krenarë t’ju mbështesim në këtë përpjekje”, thuhet në deklaratën e sekretarit Blinken.

“Përderisa pavarësia dhe sovraniteti i Kosovës janë të pakthyeshme dhe të pacënueshme, ndërtimi i institucioneve elastike demokratike dhe gjithëpërfshirëse që ofrojnë për të gjithë qytetarët kërkon këmbëngulje. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të Kosovës ndërsa ajo punon për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj”, thuhet më tutje nëdeklaratë.

“Ne presim që Kosova me të drejtë të zërë vendin e saj përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe ritheksojmë mbështetjen tonë për dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyrë për të arritur një marrëveshje për marrëdhëniet e normalizuara, të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në deklaratë.

“Ne jemi mirënjohës për lidershipin e Kosovës përtej kufijve të saj – për bujarinë e shprehur me strehimin e afganëve të cenueshëm dhe për kontributin tuaj për sigurinë dhe stabilitetin global”, ka thënë Blinken.

“Ju uroj paqe, prosperitet dhe shëndet të mirë popullit të Kosovës, ndërsa vazhdoni rrugëtimin tuaj demokratik. Ne do ta forcojmë miqësinë tonë të palëkundur, së bashku”, thuhet në fund të deklaratës së sekretarit Blinken drejtuar qytetarëve të Kosovës, me rastin e 14 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

(r.m.)