Bojkotimin e Konventës e kanë njoftuar John McCain, Mitt Romney dhe dy ish-Presidentët Bush
Ruben Avxhiu
Ish-senatori Bob Dole (Doll) është ish-kandidat presidencial republikan që ka premtuar të jetë në Konventën Kombëtare, që pritet të emërojë Donald Trump si pretendent për Shtëpinë e Bardhë
Të gjithë ish-kandidatët presidencialë që janë gjallë dhe figura të tjera të shquara të partisë kanë sinjalizuar se do të mungojnë në protestë të heshtur ndaj kandidatit të mundshëm fitues të këtij cikli zgjedhor.
Bob Dole ishte kandidati i Partisë Republikane në 1996, ku humbi përballë Presidentit Bill Clinton. Që u rizgjodh me sukses.
Dole ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Kosovë dhe një nga politikanët e parë të huaj që vizituan Prishtinën.
Dole është ndarë herët prej figurave të tjera partiake, duke nënvizuar se Trump ishte një alternativë më e mirë se Cruz etj. Megjithëse do të kishte preferuar një kandidat si Rubio, ish-Senatori veteran duket se do të ndihmojë në bashkimin e partisë rreth një kandidati të pazakontë.
Dy ish-presidentët, George W Bush dhe George HW Bush iu bashkuan mbrëmë Senaorit John McCain në bojkotimin e Konventën Kombëtare. Sot, të njëjtin qendrim e konfirmoi edhe Mitt Romney.
Strategjistët republikanë dyshojnë në aftësitë e kandidatit Donald Trump për të bashkuar partinë në nëntor. Fitorja e tij ka qenë e qartë deri tani tani, por metodat që ka përdorur kanë mërzitur dhe lënë të zhgënjyer e fyer shumë figura të njohura të partisë.
Trump është treguar kokëfortë, të paktën deri tani. “I fitoj zgjedhjet edhe pa Partinë Republikane”, tha ai përpara se Ted Cruz dhe John Kasich të dilnin nga gara, duke shokuar edhe njëherë vëzhguesit e zgjedhjeve dhe strategjistët e partisë.