Bogdanoviq: Oliver Ivanoviqi u vra nga Serbia, vrasjen e kreu Radoiçiqi

Beograd, 2 tetor 2023 – Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” në Serbi, Boban Bogdanoviq, ka publikuar një informacion lidhur me vrasjen e politikanit opozitar serb, Oliver Ivanoviq, në veri të Kosovës.

Bogdanoviq, duke iu referuar burimeve të tij, ka thënë se Ivanoviqi është vrarë nga një pjesëtar i grupit terrorist që kryen sulmet në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

“Sapo e mora një informacion tronditës. Në formacionin terrorist të komanduar nga terroristit ndërkombëtar Milan Radoiçiq që kreu sulmin në veri të Kosovës ishte edhe vrasësi i Oliver Ivanoviqit. Tani gjithçka është plotësisht e qartë, Oliveri u vra me mbështetje politike nga Republika e Serbisë”, ka shkruar ai në rrjetin social “X”.

Kohë më parë, Bogdanoviq ka thënë se ai është intervistuar nga Agjencia Informative e Sigurisë së Serbisë (BIA), për shkak të deklaratave të tij mbështetëse për Kosovën.

Ai ka thënë se i ishte ofruar “dëmshpërblim” në qoftë se do të ndërpriste kritikat ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe partisë Lista Serbe, e cila kontrollohet nga Vuçiqi.

(r.m.)