Bogdanoviq: Serbia dhe Vuçiqi janë sponsorë të terrorizmit ndërkombëtar. Kosova është në rrezik!

Beograd, 4 tetor 2023 – Kryetari i Lëvizjes Qytetare “Odgovor” në Serbi, Boban Bogdanoviq, ka reaguar ashpër pas lirimit të Milan Radoiçiqit nga paraburgimi.

Në platformën X, Ai ka shkruar se ky akt dëshmon se Serbia dhe president i saj, Aleksandar Vuçiq, janë sponsorë të terrorizmit ndërkombëtar dhe ka paralajmëruar se Kosova është në rrezik.

“E thashë dje se arrestimi i Radoiçiqit është farsa dhe shfaqja më e zakonshme për publikun në Serbi! Një terrorist ndërkombëtar u lirua nga paraburgimi në mënyrë që të mund të ndikonte te dëshmitarët. Serbia dhe president i saj pa dyshim janë sponsorë të terrorizmit ndërkombëtar! Kosova është në rrezik!”, ka shkruar ai.

Por, Bogdanoviq ka thënë se Radoiçiqi mund të jetë liruar nga paraburgimi edhe që të vritet, sepse ai “është një dëshmitar shumë i papërshtatshëm që do të dëshmonte për përfshirjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në përgatitjen e sulmit terrorist në Kosovë.

“Lirimi i Radoiçiqit nga paraburgimi mund të ketë synim vrasjen e tij. Ai është një dëshmitar shumë i papërshtatshëm që do të dëshmonte për pjesëmarrjen e presidentit Aleksandar Vuçiq në përgatitjen e sulmit terrorist në Kosovë. ‘Gojët e vdekura nuk flasin’. Prandaj insistoj për një urdhër-arrest ndërkombëtar!”, ka shkruar a.

Politikani serb properëndimor, Boban Bogdanoviq u ka bërë thirrje Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit Albin Kurti që të mbrojnë qytetarët serbë në Kosovë. Ai ka thënë se nuk është faji i serbëve të Kosovës që “terroristi Radoiçiq është i lirë”. Këtë thirrje ai e ka bërë në gjuhën shqipe.

“I kërkoj Albin Kurtit dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osman, si dhe të gjithë zyrtarëve të Kosovës të bëjnë gjithçka që është në fuqinë e tyre për të garantuar paqen dhe sigurinë për serbët në veri të Kosovës.

Ju lutem mbroni popullin tim serb! Nuk është faji i tyre që terroristi Radoiçiq është i lirë!

Me ndihmoni!”, ka thënë ai.

(r.m.)