Prishtinë, 17 tetor 2021 – Çdo shantazh Listës Serbe ndaj institucioneve të Kosovës duhet parë si instruksion për shtetin e Kosovës nga Beogradi zyrtar.
Kështu vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë, Artan Muhaxhiri dhe Ognjen Gogiq.
Ata kujtojnë se Lista Serbe, e cila e përfaqëson komunitetin serb të Kosovës në Kuvend e në Qeveri dhe e ka pushtetin në dhjetë komunat me shumicë serbe, është themeluar dhe mbështetet nga Beogradi zyrtar, prej nga edhe merr instruksione për veprimet e saj.
Lista Serbe ka bojkotuar tri mbledhjet e fundit të kryesisë së Kuvendit të Kosovës, duke pamundësuar kuorumin e nevojshëm për të marrë vendimin për caktimin e seancës së radhës. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, të martën, më 16 nëntor, kur Lista Serbe për herë të fundit bojkotoi punimet e kryesisë.
“Ma merr mendja që Lista Serbe është duke e bojkotuar qëllimshëm dhe në mënyrë të vazhduar kryesinë e Kuvendit të Kosovës. Kjo është e papranueshme për ne. Ne nuk pranojmë kurrfarë shantazhi në kryesinë e Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca në një konferencë për media.
Muhaxhiri: Indikacionet për bojkotim të institucioneve nga Lista Serbe
Më 17 tetor, kur Lista Serbe nga Mitrovica e Veriut shpalli fitoren në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe, kryetari i këtij subjekti politik, Goran Rakiq deklaroi se lufta e kësaj partie është e përqendruar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në qoftë se nuk do të ketë Asociacion, nuk do të ketë as institucione të Kosovës”, ka thënë Rakiq, duke shtuar se kjo do të ndodhë në rast se bisedimet për Asociacionin nuk do të nisin deri në muajin nëntor.
Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje të kontaktojë Sllavko Simiqin, por edhe zyrtarët tjerë të Listës Serbe për t’i pyetur nëse kërcënimi i tyre i muajit tetor për t’i braktisur institucionet e Kosovës, është duke u realizuar. Por, ata nuk kanë qenë të qasshëm.
Njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se veprimet e përfaqësuesve të Listës Serbe, fillimisht në kryesinë e Kuvendit, janë sinjale që Lista Serbe ka nisur të ndjekë politikat e bojkotit ndaj institucioneve të Kosovës. Por, sipas tij, veprimet e Listës Serbe, marrë parasysh mbështetjen ekskluzive që merr nga Beogradi zyrtar, janë të instrumentalizuara dhe të diktuara nga ky i fundit.
“Po, këto janë indikacione, por vendimi definitiv për bojkotimin ose jo të punës së Kuvendit dhe të Qeverisë nga ana e Listës Serbe do të merret pas një koordinimi me faktorët relevantë që kanë ndikim në vendimmarrjen dhe funksionimin e kësaj liste. Asnjë vendim i Listës Serbe nuk duhet të konsiderohet si vendimmarrje e tyre, por si një instruksion që vjen nga Beogradi”, thotë Muhaxhiri.
Gogiq: Aktet e kontrolluara të bojkotit
Politologu serb, Ognjen Gogiq, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, vlerëson se Lista Serbe deri më tash në disa raste ka treguar se bojkotin, braktisjen dhe kërcënimet për braktisje të institucioneve i kanë mënyrë të veprimit politik.
“Unë do të befasohesha në qoftë se ata do të ishin konstruktivë. Por, ato kërcënime dhe ato akte të bojkotimit janë gjithmonë të kufizuara dhe të kontrolluara, dhe ata gjithmonë janë të kujdesshëm që të mos shkojnë shumë larg me ato veprime. Pra, ata gjithmonë gjejnë një mes që të mos sjellin paralizim të institucioneve dhe të mos e destabilizojnë së tepërmi jetën politike, por që me ato aksione ta marrin vëmendjen. Kështu është sërish rasti. Pra, kërcënimi që është drejtuar në tetor, pas zgjedhjeve, se do t’i braktisin institucionet ose do t’i bojkotojnë për shkak të Asociacionit, është përsëritur disa herë dhe është një e shtënë në ajër”, shprehet Gogiq.
Ai shton se kërcënime të ngjashme ka pasur edhe më parë nga Lista Serbe, por që përfaqësuesit e saj sërish janë kthyer në institucione sikurse nuk ka ngjarë asgjë.
“Formimi i Asociacionit, kusht për Kosovën”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se nuk do të ketë formim të Asociacionit, për shkak se ai do të ishte njëetnik, gjë që, sipas Kurtit, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se problemi me Asociacionin “nuk është në ndonjë akt ligjor, por problemi është te faktet që Kurti nuk po i kupton”. Ai edhe më herët ka këmbëngulur që Asociacioni duhet të formohet sipas Marrëveshjes së Brukselit. Megjithatë, Vuçiq deri më tash asnjëherë publikisht nuk e ka përmendur mundësinë e braktisjes së institucioneve të Kosovës nga Lista Serbe.
Artan Muhaxhiri vlerëson se autoritetet e Kosovës duhet të bisedojnë me përfaqësuesit e Listës Serbe. Por, sipas tij, më e efektshme do të ishte që të bisedojnë me përfaqësuesit e vendeve të Quint-it për të gjetur një zgjidhje që Lista Serbe të mos fillojë bojkotimin eventual të institucioneve.
Në shtetet e Quint-it bëjnë pjesë: Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia e Britania e Madhe.
“Lista Serbe nuk ka mundësi që t’ia diktojë punën Qeverisë për shkak të mosthemelimit të Asociacionit. Por, këtë mundësi e kanë aleatët tanë sepse themelimi i Asociacionit po konsiderohet si një kusht që Kosova gjithsesi duhet ta plotësojë dhe pastaj me një ‘domino efekt’, hap pas hapi, që të ndikohet edhe në vazhdimësinë konstruktive të bisedimeve në Bruksel për të arritur deri te zgjidhja përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, thotë Muhaxhiri.
“Beogradi dhe Lista Serbe s’kanë interesim për Asociacionin”
Por, a i konvenon Beogradit zyrtar realizimi i kërcënimeve të Listës Serbe për braktisje të institucioneve të Kosovës?
Politologu Gogiq konsideron se Beogradi nuk mund të shkojë aq larg, por dëshiron të dërgojë mesazhe pakënaqësie ndaj Qeverisë së Kosovës dhe politikës së saj ndaj serbëve të Kosovës.
“Mendoj që as Beogradi dhe as Lista Serbe nuk janë mjaft të interesuar që të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pavarësisht nga ajo se çfarë flasin. Kjo për shkak se në rast se do të formohej Asociacioni, atëherë Serbia nuk ka më mjaft arsye që të kontestojë shtetësinë e Kosovës dhe që të thotë se serbët në Kosovë janë të rrezikuar. Unë mendoj që atyre u përgjigjet ky qëndrim i Qeverisë në Prishtinë që të refuzohet formimi i Asociacionit, sepse kështu edhe bisedimet mbesin pezull. Pastaj, Beogradi gjithmonë thotë se për shkak se nuk është formuar Asociacioni, nuk mund të vazhdojmë të shkojmë tutje me negociatat dhe nuk mund t’i bëjmë koncesione të tjera Prishtinës nga ana jonë”, vlerëson Gogiq.
Pikërisht, tema e Asociacionit ishte arsyeja që gjatë kësaj jave në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë nuk u takuan. Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan vetëm takime të ndara me zyrtarët e Bashkimit Evropian, që ndërmjetësojnë procesin e dialogut.
Pala serbe ka insistuar që në këtë rund bisedimesh të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Pala e Kosovës ka refuzuar të diskutojë tani për çështjet, të cilat “kanë të bëjnë me komunitetet pakicë sepse ato duhet të jenë pjesë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse”.
Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është pjesë e një marrëveshjeje që është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Më 2015, palët kishin arritur edhe një marrëveshje për parimet e themelimit të këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
(Bekim Bislimi, REL)