Bolton: Me Trumpin është e mundur njohja reciproke mes Kosovës e Serbisë

Tiranë, 22 janar 2025 – Jiohn Bolton, ish-këshilltar për për çështje të sigurisë i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, në mandatin e parë, ka shprehur pikëpamjet e tij lidhur me qasjen e Trumpit ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sidomos ndaj Kosovës.

Në një intervistë për televizionin A2CNN, Bolton ka thënë gjatë Administratës së Trumpit është e mundur që mes Kosovës e Serbisë të arrihet marrëveshja për njohje reciproke.

 “Mendoj se kjo është e mundur. Nëse ai do ta shihte këtë si diçka nga e cila mund të marrë merita, mendoj se do t’i kushtonte vëmendje menjëherë”, ka thënë ai.

“Ky është një problem shumë kompleks, dhe kjo zakonisht nuk e tërheq atë, por mendoj se do të tërhiqet nga çështjet e sigurisë në Evropën Lindore në përgjithësi për shkak të luftës në Ukrainë. (…) Mendoj se tani është moment i mirë për të zgjidhur sa më shumë mosmarrëveshje të vjetra. Prandaj, një interes nga ana e Trump nuk është i pamundur, ndoshta që në fillim të administratës së tij”, ka shtuar ai.

Bolton ka thënë se nuk e përjashton edhe opsionin e ndryshimit të kufiirit midis Kosovës e Serbisë. Por, ai ka theksuar se kjo mund të bëhet vetëm me pajtimin e të dyja palëve.

“Natyrisht, çdo rregullim territorial duhet të ketë pëlqimin e plotë të të dyja palëve – Serbisë dhe Kosovës. Nëse njëra palë pranon dhe tjetra jo, atëherë nuk keni marrëveshje. Kjo është e vështirë. Kërkon vendosmëri politike nga të dyja palët. Kjo ka shkaktuar shqetësime në pjesë të tjera të Ballkanit. Disa thonë se nëse ka një rregullim territorial midis Serbisë dhe Kosovës, mund të ketë edhe në zona të tjera. Unë nuk mendoj se ky është një shqetësim legjitim. Siç thashë, çdo palë duhet të bjerë dakord përpara se të ndodhin rregullime territorial”, ka thënë ai.

ish-këshilltari për për çështje të sigurisë i Presidentit Trump në mandatin e kaluar ka shprehur bindjen se zhvillimet në Ballkan do të jenë prioritet i lartë i administratës së re të Trumpit.

“Mendoj se interesi që u shfaq gjatë mandatit të parë të Trump për të zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura në Ballkan ishte një prioritet i lartë. Ishte një prioritet i lartë para pushtimit rus të Ukrainës dhe tani është një prioritet edhe më i lartë, të paktën duhet të jetë, për Shtetet e Bashkuara. Natyrisht, ka shumë histori në këtë rajon dhe ndjenjat janë të forta nga të gjitha palët e përfshira, por kemi bërë disa përparime vitet e fundit. Dhe është edhe më e rëndësishme tani, në kontekstin e luftës që vazhdon në Ukrainë. Pavarësisht se çfarë ndodh atje, diçka që ende është shumë e vështirë për t’u parashikuar, paqja dhe stabiliteti në Evropë në tërësi kanë qenë një interes jetik për Amerikën që nga viti 1945 dhe duhet të vazhdojnë të jenë të tilla”, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*