Beograd, 4 mars 2025 – Deputetët e opozitës serbe hodhën të martën bomba tymuese dhe gaz lotsjellës brenda parlamentit, në shenjë kundërshtimi ndaj politikave të qeverisë dhe mbështetjes për protestat disamuajshe të studentëve të universiteteve në Serbi.
Kjo ndodhi pasi deputetët e koalicionit qeverisës e miratuan rendin e ditës së seancës, të cilin opozita e kundërshtoi.
Deputetët opozitarë iu afruan tavolinës së kryetarit, aktivizuan bomba me tym të kuq dhe të zi dhe shpalosën një pankartë ku shkruhej “Serbia po ngrihet për të rrëzuar regjimin”.
Qeveria miratoi paraprakisht rendin e ditës me 62 pika, ku përfshiheshin edhe ndryshimet në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Këto të fundit janë kërkesë e studentëve që protestojnë në Serbi, që nga shembja vdekjeprurëse e një strehe në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, më 1 nëntor të vitit të kaluar.
Në seancë duhej të miratohej edhe dorëheqja e kryeministrit të Serbisë, Millosh Vuçeviq, të cilën ai e ofroi më 28 janar, nën presionin e protestave të studentëve.
Opozita kërkoi që në rend dite të ishin vetëm ndryshimet në Ligjin e Arsimit të Lartë, duke thënë se Qeveria që ka shpallur dorëheqjen, nuk mund të miratojë ligje të rëndësishme.
“Ne konsiderojmë se Qeveria ka rënë. Ju nuk keni të drejtë të propozoni ligje, derisa jeni në dorëheqje. Ju duhet ta arrestoni veten dhe të mos bëni cirk”, tha deputetja e Partisë për Liri dhe Drejtësi, Marinika Tepiq.
Disa deputetë të opozitës në sallë mbajtën edhe fotografi me duar të përgjakura dhe pankarta ku shkruhej: “Grevë e përgjithshme”, “Studentët kanë të drejtë” dhe “Mësimdhënës, jemi me ju”.
Pavarësisht kaosit, kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, refuzoi ta shtynte seancën.
“Ne kemi punë për të bërë dhe Serbia nuk do të ndalet kurrë. Revolucioni juaj me ngjyra ka dështuar”, tha ajo.
Ministrat dhe deputetët e koalicionit qeverisës filluan më pas të diskutojnë për pikat e rendit të ditës, ndërsa opozita i ndërpreu, duke bërë zhurmë dhe duke brohoritur.
Bërnabiq tha, po ashtu, se deputetja e koalicionit qeverisës, Jasmina Obradoviq, “pësoi goditje në tru” pas incidentit në Kuvend dhe se është “në rrezik për jetën”.
Ajo tha se edhe dy deputete të tjera janë lënduar.
Një gazetar i Radios Evropa e Lirë raportoi se ekipet mjekësore të urgjencës hynë në Kuvendin e Serbisë pas incidentit.
Para ndërtesës së këtij institucioni u mblodhën edhe studentë dhe qytetarë të tjerë, të cilët paraprakisht nderuan 15 viktimat e tragjedisë në Novi Sad, duke bllokuar për 15 minuta një udhëkryq pranë.
Bërnabiq tha më herët se është arritur marrëveshje me përfaqësuesit e të gjitha universiteteve shtetërore për ndryshime në Ligjin për Arsimin e Lartë dhe se me këtë do të përmbushet kjo kërkesë e studentëve.
Qeveria pretendon se janë plotësuar edhe kërkesat e tjera të studentëve.
Studentët thonë se bllokadat dhe protestat e tyre do të vazhdojnë dhe se grupet e ekspertëve do të përcaktojnë nëse kërkesat janë plotësuar ose jo.