Kiev, 3 mars 2022 – Shpërthime të fuqishme janë dëgjuar gjatë natës midis të mërkurës dhe të enjtes në kryeqytetin Kiev dhe në qytetet tjera të Ukrainës
Rreth orës 03:00 sipas orës lokale, në Kiev janë kryer të paktën katër sulme të fuqishme raketore. Raketat ruse kanë shpërthyer shumë afër vendit ku janë strehuar qindra banorë, në përpjekje për të shpëtuar nga bombardimet e forcave ruse.
Disa orë më parë pranë stacionit qendror të trenit në Kiev ka ndodhur një shpërthim i madh që e ka tundur gjithë qytetin. Raportohet për së paku tetë të vrarë.
Një depo nafte në qytetin Chernihiv, në veri të Ukrainës, është qëlluar gjatë një sulmi ajror, të enjten në mëngjes. Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi Shtetëror i Ukrainës për Emergjencat.
Në fotografitë e shpërdara nga Chernihiv shihet re të mëdha tymi dhe zjarrfikës e punonjës të urgjencës.
Trupat ruse thonë se e kanë marrë kontrollin në qytetin Kherson, në jug të Ukrainës, pas bombardimeve dhe sulmeve që nuk kanë pushuar gjatë gjithë natës.
Pushtimi i këtij qyteti me 290,000 banorë u arrit pas rrethimit treditor nga forcat ruse, gjë që i la banorët e këtij qyteti pa ushqime, pa shërbime mjekësore dhe pa ilaçe.
Gjatë natës dhe të enjten në mëngjes bombardime të fuqishme kanë ndodhur edhe në Kharkiv, në veri, si edhe në Mariupol, në jug.
Këshilli i qytetit të Mariupolit tha se Rusia vazhdimisht po e bombardon infrastrukturën civile që lë qytetin pa ujë, pa ngrohje dhe pa energji elektrike dhe pengon furnizimet e banorëve ose evakuimin e tyre.
“Ata po bllokojnë furnizimet ushqimore, duke na vendosur në një bllokadë, si në Leningradin e vjetër. Qëllimisht, për shtatë ditë, ata e kanë shkatërruar infrastrukturën dhe objektet vitale për jetë. Kemi mbetur pa dritë, pa ujë dhe pa ngrohje”, thuhet në njoftim.
Këshilli kërkoi të krijohet një korridor humanitar për banorët e qytetit.
Të mërkurën, ushtria ruse kishte thënë se forcat ruse i kishin marrë nën kontroll Mariupolin, por ushtria e Ukrainës tha se ky qytet mbetet nën kontrollin e ukrainasve.
(Sipas BBC, Euroneës dhe Radio Evropa e Lirë)