Prishtinë, 8 korrik 2021 – Anëtarët e bordit të transmetuesit publik të Kosovës, Radiotelevizionit të Kosovës (RTK), të shkarkuar sot nga Kuvendi i Kosovës, e kanë quajtur shkarkimin e tyre si akt “politik e antiligjor” dhe si “ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik”.
“Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave”, thuhet në një reagim të përbashkët të anëtarëve të bordit të shkarkuar.
“Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave”, thuhet më tutje në reagim.
Anëtarët e bordit të shkarkuar të RTK-së kanë thënë se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar, siç thuhet, “këtë vendim arbitrar”.
Në përbërjen e bordit të shkarkuar të RTK-së ishin: Bashota (kryetar), Agron Gashi, Lirim Geci, Fadil Miftari, Ilir Bytyçi, Bajram Mjeku, Petrit Musolli dhe Albinot Maloku (anëtarë).
Reagimi i Bordit të RTK-së:
Veprimi i sotëm i shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës për shkarkimin e Bordit të RTK-së është politik, antiligjor dhe paraqet ndërhyrje flagrante në punën e transmetuesit publik.
Ky vendim është goditje e rëndë ndaj vlerave demokratike dhe lirisë së mediave.
Arsyetimi i shumicës parlamentare për shkarkimin e Bordit të RTK-së nuk ka asnjë argument faktik, përpos motivit të qartë politik. Bordi aktual ka qenë një ndër bordet më profesionale, i përbërë nga emra të njohur të fushës akademike dhe të mediave.
Bordi i RTK-së do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim arbitrar.
Bordi i RTK-së i bën thirrje organizatave vendore dhe ndërkombëtare të cilat merren me mbrojtjen e lirisë së mediave që të reagojnë ndaj këtij vendimi politik dhe arbirtrar të shumicës parlamentare në Kuvendin e Kosovës.
(r.m.)