Borell: Kosova e Serbia t’i zbatojnë plotësisht marrëveshjet e mëparshme

Bruksel,16 nëntor 2021 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme, Josep Borell, të hënën është takuar me ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve të BE-së, ku është diskutuar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas takimit, Borrell ka treguar synimet e tij që të thërrasë një takim të nivelit të lartë politik të Kosovës dhe Serbisë, përpara fundit të vitit.

“Shpresojmë të kemi një takim tjetër të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, përpara fundit të vitit. Të paktën, ky është propozimi dhe ftesa ime për të dy liderët”, ka thënë ai.

Borell ka kërkuar nga të dy palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet për të cilat ata janë pajtuar, përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë plotësisht të gjitha marrëveshjet e mëparshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive për të bërë përparim të shpejtë në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis tyre”, ka theksuar Borrell.

(r.m.)