Bruksel, 15 tetor 2021 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borell, ka biseduar me telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq, dhe i ka ftuar ata në Bruksel, për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhènieve midis dy vendeve.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano në një konferencë për media, ka konfirmuar se Borell, gjatë qëndrimit në SHBA, ka biseduar me Kurtin dhe Vuçiqin lidhur me situatën në veri të Kosovës dhe i ka ftuar ata që të shkojnë në Bruksel për të të vazhduar dialogun.
“Mund të konfirmoj se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borell, në bisedimet me sekretarin Blinken e ka ngritur çështjen e asaj se çfarë po ndodh aktualisht në Kosovë. BE-ja dhe ShBA-ja janë duke punuar ngushtë për Ballkanin Perëndimor dhe kemi objektiva tënjëjta. Borell, gjatë qëndrimit të tij në SHBA, ka biseduar me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq për situatën dhe e ka përsëritur nevojën që të shkojnë në Bruksel për të diskutuar lidhur me korrnizat e dialogut, për të avancuar dialogun dhe për të arritur progres në dialog, në mënyrë që të evitohen situatat er njëjta me ato që i pamë së fundi në veri të Kosovës dhe mes Kosovës e Serbisë”, ka thënë Stano.
Ai ka thënë gjithashtu se z. Borell dhe z. Blinken janë pajtuar se në veri të Kosovës duhet të ketë deeskalim të situatës.
“Të dy, Josep Borell dhe Anthony Blinken janë pajtuar se duhet deeskalim i situatës dhe rifillim të negociatave”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. (r.m.)