Borrell: Bëmë një propozim shumë të balancuar për Asocacionin, palët e refuzuan duke vënë kushte

Bruksel, 26 tetor 2023 – Takimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me krerët e Bashkimit Evropian dhe liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, të cilat u zhvilluan të enjten në Brukse, përfunduan pa ndonjë pajtim.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, përmes një videoadresimi, bëri të ditur se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është pengesa më e madhe për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Ekziston një pengesë e madhe e ajo është themelimi i Asociacionit tëkomunave me shumicë serbe në veri të Kosovës”, tha Borrell.

Ai tha se për ta kaluar këtë pengesë, palëve u është bërë një propozim evropian për themelimin e Asociacionit, të cilin ai e cilësoi si “shumë serioz dhe të balancuar”, por palët nuk ishin të gatshme të pajtoheshin.

“Për t’i ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje, të gjithë së bashku paraqitëm një propozim të ri evropian, serioz dhe të balancuar, për themelimin e këtij Asociacioni të komunave dhe këmbëngulëm që palët ta shfrytëzojnë këtë rast, gjë që do të ishte një hap i madh përpara në procesin e normalizimit dhe për të shmangur spirale të reja të dhunës. Por, për fat të keq, palët nuk ishin të gatshme të me këtë pa kushtet që ishin të papranueshme nga pala tjetër. Në fund, ne kërkuam nga palët që të angazhohen sinqerisht në procesin e normalizimit. Kjo mund të bëhet vetëm brenda kornizës së dialogut, sepse kjo është e vetmja rrugë për të avancuar në rrugën evropiane”, theksoi ai.

“Ne do të vazhdojmë të insistojmë dhe të punojmë për të arritur një marrëveshje. Por sot, për fat të keq, nuk ishte e mundur, siç thashë, pa kushte nga secila pale, të cilat ishin të papranueshme për palën tjetër”, shtoi ai.

Borell tha se sulmet e fundit terroriste të 24 shtatorit janë dënuar sërish nga Bashkimi Evropian në takimet me Kurtin dhe Vuçiqin.

Ai tha se janë shumë të shqetësuar për ngërçin në dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe theksoi se dialogu është e vetmja rrugë për të ecur përpara është normalizimi i raporteve mes dy vendeve.

(r.m.)