Bruksel, 15 qershor 2021 – Para takimit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet sot në Bruksel, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Joseph Borrell, ka thënë se e di që dialogu Kosovë-Serbi nuk është i lehtë, por është i domosdoshëm për të ardhmen e të dy vendeve.
Borrell ka thënë se është i lumtur që takimi Kurti – Vuçiq realizohet në ditën që Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, takohet me përfaqësues të Bashkimit Evropian.
“Sot bashkë me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të organizojmë një takim të ri të nivelit të lartë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës. Jam i lumtur që kjo ndodh në të njëjtën kohë kur BE-ja takohet me presidentin amerikan Joe Biden. Është kënaqësi të pres në Bruksel, presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurit, jo shumë kohë pas takimeve të shkuara. I inkurajoj të dyja palët të vazhdojnë dialogun pa vonesa dhe të fokusohen në rezultate, pavarësisht të gjitha vështirësive. Dialogu s’do të jetë i lehtë, por procesi është i domosdoshëm për popujt e Kosovës dhe të Serbisë”, ka thënë Borrell, në konferencë për gazetarët.
“Dialogu dhe rezultati i tij është rruga drejt të ardhmes evropiane. Në të njëjtën kohë, ka sjellë rezultate të rëndësishme për popujt. BE-ja dhe unë jemi të interesuar të shohim progres të shpejtë e të lëmë të kaluarën prapa, të arrijmë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse dhe të bëjmë të ardhmen evropiane një realitet. Është momentum i ri dhe duhet ta shfrytëzojmë. Është momentum i ri në BE për të Ballkanin Perëndimor. Është mundësi për të gjithë rajonin. Jo vetëm për Kosovën e Serbinë sepse marrëveshja mes tyre është në të mirë të stabilitetit të përgjithshëm rajonal”, ka shtuar ai.
Pas konferencës, Borrell do të ketë takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Pasatj do të ketë një takim të përbashkët me të dyja palët, ku do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi,Mirosllav Lajçak.
(r.m.)