Borrell fton në Bruksel Kurtin dhe Vuçiqin, për vazhdimin e dialogut

Bruksel, 1 gusht 2022 – Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka ftuar në një takim në Bruksel kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, konfirmoi zëdhënësi i bllokut, Peter Stano.

Kurti dhe Vuçiq kanë marrë ftesë për vazhdimin e dialogut, ku do të diskutohet për të gjitha çështjet e hapura mes dy shteteve.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se edhe institucionet e BE-së, por edhe shtetet anëtare, po vëzhgojnë “me shqetësim” ngjarjet në Kosovë.

“Çdo veprim i pakoordinuar dhe i njëanshëm që kërcënon stabilitetin dhe rrezikon lirinë e lëvizjes duhet të ndërpritet”, tha Stano.

Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk ka ftesë për një takim në Bruksel. Gjatë një konference për media në Prishtinë më 1 gusht, Kurti tha se Kosova është e gatshme për dialogun me Serbinë.

“Me presidentin e Serbisë është dashur të takohemi në Bruksel më 19 korrik, mirëpo ai ka kërkuar të shtyhet ai takim për në fund të muajit gusht. Mbase ka qenë i zënë me përgatitjet e asaj që ndodhi dje sepse ne është dashur të takohemi më 19 korrik”, tha Kurti.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që kur të na thërret përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, do të shkoj në Bruksel. Një ftesë të tillë deri në këto momente nuk e kemi. Në momentin që do ta kemi, sigurisht që do ta bëjmë publike dhe do të shprehim qëndrimin tonë. Ne jemi për dialog të përgatitur mirë, parimor, të balancuar drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përqendruar në njohjen reciproke. Gatishmëria nga ana jonë ekziston”, shtoi ai.

Ndërkaq, burimet e REL-it në Bruksel tërheqin vërejtjen se tensionet janë pasoja e drejtëpërdrejt e mungesës së vullentit të liderëve për t’u ulur dhe për të vazhduar dialogun.

Zyrtarët në Bruksel theksuan se para fillimit të pushimeve verore në BE ishte planifikuar që të mbahej një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

“Për shkak të atij fakti [të mosmbajtjes së takimit] tani kemi tensione që kanë potencial të përshkallëzohen sepse kemi sërish një temë të nxehtë. Çdo politikan i përgjegjshëm do t’i hipte avionit dhe do të vinte në Bruksel sa më shpejt që të mundej me qëllim që të gjendej një zgjidhje në Bruksel”, tha një zyrtar evropian për REL-in në kushte anonimiteti.

Sipas burimeve të REL-it, ftesa e Borrellit për takimin në Bruksel është e hapur dhe tash për tash nuk ka ndonjë datë për rundin e ri të dialogut sepse “gjithçka varet nga vullneti politik i liderëve të Kosovës dhe Serbisë”.

Deri më tani nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë në këtë takim të thirrur nga Borrell.

Siç u konfirmua në Bruksel, përfaqësuesit e BE-së kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit gjatë 31 korrikut, kur u vendosën barrikada në veri të Kosovës nga serbët lokalë.

Barrikadat ishin kundërpërgjigje ndaj dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Sipas vendimit, të gjithë qytetarët e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë do të pajisen me një dokument për hyrje-dalje me të hyrë në territorin e shtetit. Ky dokument do të vlejë për 90 ditë.

Ndërkaq, vendimi i dytë për targat thotë se të gjithë personat që kanë makina me targa me akronim të qyteteve të Kosovës, që lëshohen nga Serbia, duhet t’i riregjistrojnë makinat e tyre.

Pas tensioneve në veri të Kosovës, Qeveria e Kosovës u zotua se do të shtyjë zbatimin e vendimit për 30 ditë, kur të hiqen barrikadat.

Disa barrikada në Rudarë nisën të largohen paraditen e 1 gushtit.

Ndryshe, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Kurti dhe Vuçiq janë takuar dy herë, dhe të dy takimet nuk kanë sjellë ndonjë rezultat konkret.

Takimi i tyre i fundit është zhvilluar në korrik të vitit 2021.

(REL)