Bruksel, 14 qershor 2023 – Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se një rund i ri i dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të organizohet para se Kosova të marrë hapa për të shtensionuar situatën.
Borrell i është përgjigjur kështu letrës që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dërgoi atij ditë më parë, duke ia prezantuar planin e tij prej pesë pikash, që sipas kryeministrit kosovar do të ndihmojë në uljen e tensioneve në veri të vendit.
“Siç e dini, unë jam i gatshëm të thërras një takim të nivelit të lartë me ju dhe presidentin [e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, me parakushtin që ju të jeni i gatshëm të ndërmerrni fillimisht hapat për shtensionim dhe të hapni rrugë për zgjedhjet e reja. Nuk mund të kemi përparim në normalizimin e raporteve, përderisa ne merremi me menaxhimin e krizave. Të 27 shtetet e BE-së, por edhe SHBA-ja, kanë investuar shumë në procesin e normalizimit dhe ne duam të shohim që ky proces lëviz përpara. Prandaj, shtensionimi i situatës kërkohet të ndodhë menjëherë. Nëse jeni i gatshëm të ndërmerrni hapat e nevojshëm, një takim i ri mund të organizohet shpejt”, tha Borrell në letrën që i dërgoi Kurtit.
Zyrtari evropian ka kërkuar që kryetarët e rinj shqiptarë në komunat në veri të mos punojnë nga zyrat në objektet komunale, tërheqjen e policisë nga afërsia e këtyre ndërtesave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore.
“Paralelisht, ne po i kërkojmë Serbisë që të mbështesë tërheqjen e elementeve radikale nga këto zona”, shkroi Borrell.
Kurti më 13 qershor njoftoi se i ka dërguar Borrellit planin prej pesë pikash për shtensionimin e situatës në veri.
Ai këtë plan e ka diskutuar edhe me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani).
Borrell është ndalur edhe në pikën tre të planit të Kurtit që Policia e Kosovës, NATO dhe misioni për Sundim të Ligjit i BE-së në Kosovë, EULEX, të kryerjen e vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë.
Zyrtari i lartë evropian tha se kjo çështje mund të diskutohet pas shtensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“Megjithatë, kjo nënkupton se ju duhet të merrni në konsideratë opsionet e EULEX-it dhe KFOR-it dhe t’i trajtoni ata si partnerë, që nënkupton koordinim paraprak me ta”, tha Borrell.
Ai tha se kjo nuk ka ndodhur gjatë operacionit policor të 13 qershorit në Mitrovicë të Veriut, kur u arrestua Millun Millenkoviq, që Kosova e akuzon se është një prej organizatorëve të ngjarjeve të dhunshme ndaj KFOR-it në Zveçan më 29 maj dhe për ngjarje të tjera.
“Prandaj, çdo rol i ardhshëm i masave të zbatimit të ligjit në veri të Kosovës duhet të diskutohet dhe individualisht të vlerësohet së bashku me EULEX-in dhe KFOR-in. Ngjarjet në të kaluarën kanë treguar se jo çdo masë e marrë nga Kosova nën ombrellën e sundimit të ligjit mund të mbështetet nga partnerët tuaj ndërkombëtarë, në kontekstin e një mjedisi shumë të ndjeshëm”, tha Borrell.
Ai i bëri thirrje Kurtit që të ndërmarrë hapa për të shtensionuar situatën në veri, duke plotësuar kërkesat e SHBA-së dhe BE-së.
“Vetëm pasi të rivendoset paqja dhe stabiliteti në veri të Kosovës, ne mund të përqendrohemi në normalizim, përmes zbatimit, nga të dyja palët, të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimitdhe Aneksit të saj. Puna për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë duhet të nis menjëherë pa vonesa dhe parakushte”, tha ai, duke paralajmëruar se nëse Kosova dështon të shtensionojë situatën, do të përballet me masa.
Disa burime diplomatike i kanë thënë Radios Evropa e Lirë më 13 qershor se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Ndërsa më 14 qershor, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha se BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse Qeveria e këtij vendi nuk i përmbushë kërkesat ndërkombëtare.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur Kurtit tri kërkesa: qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe kthimin në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi.
(REL)