Borrell: Kosova dhe Serbia t’i zbatojnë detyrimet e tyre nga dialogu

Bruksel, 22 shtator 2021 – Nga Brukseli të mërkurën erdhi një qortim dhe një apel për Prishtinën dhe Beogradin, pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës, në afërsi të dy vendkalimeve kufitare me Serbinë 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin masa për uljen e tensioneve në pjesën veriore të Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Borrell u ka bërë thirrje liderëve në Prishtinë dhe në Beograd që të kenë qasje të përgjegjshme dhe të punojnë për shmangien e çfarëdo përshkallëzimi dhe për rikthimin e atmosferës paqësore.

“Të gjitha provokimet dhe veprimet e njëanshme duhet të shmangen, pasi janë në kundërshtim me interesin e njerëzve në rajon”, ka theksuar ai, në një deklaratë me shkrim.

Njëkohësisht, Borrell u ka bërë thirrje të dyja palëve që të zbatojnë të gjithamarrëveshjet e arritura midis tyre në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Ne nënvizojmë edhe një herë se të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, nga nisja e tij në vitin 2011, mbeten valide dhe obliguese për të dyja palët. Marrëveshjet nga e kaluara përbëjnë një element të rëndësishëm të normalizimit gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. BE dhe shtetet e saja anëtare kërkojnë nga Kosova dhe Serbia që të respektojnë dhe zbatojnë të gjitha obligimet e tyre nga dialogu, pa vonesa tjera”, ka thënë ai.

Borrell ka thënë gjithashtu se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mbetet platforma e vetme për adresimin dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura midis Kosovës e Serbisë.

Të hënën, Qeveria e Kosovës nisin zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve. Kryeministri Albin Kurti tha se Kosova u detyrua të ndërmerrte këtë masë për shkak se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të nënshkruar në Bruksel më 2011 dhe më 2016.Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja palët ishin pajtuar që deri më 15shtator t’i hiqnin çdo masë që e pengon lëvizjen e lirë midis dy vendeve.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetme Serbinë për targat, shoferët e automjeteve me targa të Serbisë që hyjnë në Kosovë duhet t’i ndërrojnë ose t’i mbulojnë ato dhe të pajisen me targa të përkohshme të Kosovës.

Kjo është saktësisht ajo që Serbia e ka aplikuar prej vitit 2011 dhe vazhdon ta aplikojë edhe pas skadimit të afatit të caktuar memarrëveshje, 15 shtatorit. Shoferët e automjeteve me targa “RKS”(Republika e Kosovës) janë detyruar t’i heqin ose t’i mbulojnë ato dhe të pajisenme targa të përkohshme “Proba”.

Vendosja e reciprocitet i ka revoltuar disa qytetarë serbë të Kosovës, të cilët i kanë bllokuar rrugët rajonale pranë dy vendkalimeve kufitare në pjesën veriore të Kosovës, në Jarinë dhe në Bornjak. Pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës që janë dërguar atje nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për zhbllokimin e rrugëve.

Serbët që i kanë bllokuar rrugët e gëzojnë përkrahjen e autoriteteve të Serbisë në Beograd. Presidenti Aleksandar Vuçiq ka reaguar ashpër ndaj vendimit për reciprocitetin. Ai nuk ka treguar përse Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen që ai vetë e kishte nënshkruar në Bruksel, por ka thënë se Kosova po e interpreton në mënyrën e saj këtë marrëveshje.

Por, më shumë se reciprociteti Vuçiqin de pengon prania e policisë së Kosovës në pjesën veriore të Kosovës. Ai ka kërkuar që Kosova t’i tërheqë menjëherë forcat e saj policore.Madje, edhe ka paralajmëruar se Serbia, siç është shprehur, “do të ndërmarrë masa”, nëse Prishtina nuk e tërheq policinë, por nuk ka treguar se për çfarë masash e kishte fjalën.

Nga ana tjetër, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se pjesëtarët e policisë së Kosovës janë dërguar në zonat pranë vendkalimeve kufitare me Serbinë në veri për mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës dhe të vendkalimeve kufitare atje.

(r.m.)