Borrell: Kurti nuk e pranoi propozimin për kompromis, insistoi në njohje de facto të Kosovës

Bruksel, 14 shtator 2023 – Rundi i ri i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë përfundoi pa ndonjë pajtim mes palëve.

Zyrtari më i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka qenë i gatshëm “të ecë përpara”, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, i cili “e ka pranuar propozimin e tyre” për kompromis, i cili nënkupton themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Borrell, i cili e ndërmjetësoi takimin Kurti – Vuçiq, bashkë me të dërguarin e BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se Kurti ka këmbëngulur që illimisht të formalizohet njohja de facto e Kosovës nga Serbia.

Borrell tha se ai ua ka ofruar palëve propozimin e BE-së që Marrëveshja për normalizimi e marrëdhënieve të zbatohet nga të dyja palët paralelisht.

“Fatkeqësisht, Kurti nuk ka qenë i gatshëm të ecë përpara me fillimin e një procesi të besueshëm për themelimin e Asociacionit, Në vend të kësaj, ai ka insistuar që të formalizohet njohja de facto [e Kosovës], si hap i parë”, tha Borrell.

“Jemi përpjekur shumë, por, për fat të keq, sot nuk ka qenë e mundur të thyhen dallimet”, tha ai.

Sipas tij, Vuçiq e ka pranuar propozimin e BE-së për atë që ai e quajti “kompromis”.

“Ky ka qenë kompromisi më i mirë që kemi mundur të ofrojmë”, tha Borrell duke shtuar se ky propozim “mbështetet edhe nga partnerët amerikanë”.

“Mozgjidhja do ta vonojë marrëveshjen, nga marsi patëm një marrëveshje të mirë që siguron normalizimin dhe paraqet të mira për të dyja palët nëse do të arrihej marrëveshja”, tha ai.

Kryediplomati evropian tha se situata në pjesën veriore të Kosovës, të banuar me shumicë serbe, nuk është qetësuar ende dhe kërkoi nga të dy palët që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e saj.

“Nuk mund të qëndrojmë ulur dhe të presim krizën e radhës”, theksoi ai.

Borrell tha se pala kosovare nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës.

“Disa hapa janë ndërmarrë nga Kosova dhe ne i mirëpresim. Disa, por kjo nuk e ka përmbushur kërkesën e bërë për shtensionim të plotë”, tha Borrell.

Ai bëri thirrje që sa më parë të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore.

“Sot u bëmë thirrje që të marrin masa në veri për të shtensionuar situatën. Duhet të ketë zgjedhje menjëherë, ne nuk mund të rrimë dhe të presim për krizat e tjera, duhet të ketë menjëherë zgjedhje”, u shpreh Borrell.

“Le të flasim për rrugën drejt zgjedhjeve, largimi i kryetarëve mund të bëhet ose me mbledhjen e nënshkrimeve, ose do të japin dorëheqje”,

Ai tregoi se nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë siguri se serbët do të marrin pjesë në zgjedhje.

Josep Borrell tha se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje pa të cilën asnjëra nuk mund të vazhdojë rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian.

“Të dy shtetet duan të jenë pjesë e Bashkimit Evropian, në unionin që është ndërtuar mbi parimin e fqinjësisë së mirë dhe të ardhmes më të mirë për të gjithë qytetarët”, u shpreh Borrell.

“Rruga për në Bashkimin Evropian kalon nëpërmes dialogut. Pa normalizim nuk do të ketë të ardhme evropiane, as për Serbinës as Kosovën”, theksoi ai.

Temë kryesore e takimit ishte zbatimi i Marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera që BE-ja i cilësoi si “çështje aktuale”.

Kurti dhe Vuçiq, në konferenca të ndara për media, akuzuan njëri-tjetrin për mungesën e vullnetit për marrëveshje.

(r.m.)