Shkup, 14 mars 2022 – Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku duhet të fillojë bisedimet zyrtare për pranimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, sa më shpejt që të jetë e mundur.
Në një konferencë për media, në Shkup, pas takimit me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Borrell tha se pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia është “një moment për ringjalljen e procesit të zgjerimit të BE-së”.
Borrell shtoi se BE do t’i vazhdojë diskutimet me Bullgarinë, e cila është kërcënuar se do t’i pengojë përpjekjet e Maqedonisë së Veriut për integrim në BE.
Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut, prej dekadash, kanë mospajtime për çështje gjuhësore dhe historike.
Mosmarrëveshjet e tyre kanë arritur kulmin në vitin 2020, kur Bullgaria – anëtare e BE-së – i ka vënë veto propozimit për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.
Sipas Sofjes, Maqedonia e Veriut ka dështuar të respektojë marrëveshjet e përfshira në traktatin dypalësh të miqësisë, të nënshkruar në vitin 2017.
(REL)