Tiranë, 15 mars 2022 – Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se ka ardhur koha të rijetësohet procesi i zgjerimit dhe Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e pakthyeshme e Bashkimit Evropian.
“Të qenët të bashkuar është më e rëndësishme se kurrë. Ka ardhur koha që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që këtë ndoshta e keni dëgjuar edhe herë të tjera në të shkuarën. Ju vetë (Ramës) keni thënë se na duhen vepra e jo fjalë”, tha Borrell në një konferencë për media më kryeministrin shqiptar Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Shqipëri.
Ai vlerësoi rreshtimin e Shqipërisë me vendet tjera të BE-së, duke thënë se “Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”.
“Shqipëria e ka treguar qartë se është një nga partnerët më të besueshëm të Bashkimit Evropian dhe në botë. Politikat e Shqipërisë janë 100 për qind në përputhje me politikën e përbashkët të BE-së për çështjet e jashtme dhe të sigurisë. Edhe para luftës, edhe në këto kohë sprove Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin dhe përkushtimin e saj për rendin dhe sigurinë ndërkombëtare”, u shpreh Borrell.
Kryeministri Rama, në anën tjetër, përsëriti nevojën për hapjen formale të bisedimeve për anëtarësim, porse tregoi skepticizëm për këtë proces.
“Sa më shpejt ta bëjnë, aq më shumë është në nderin e tyre, sepse po kalon shumë kohë duke premtuar e duke mos i mbajtur premtimet, por ne tashmë e kuptojmë që kjo nuk është çështje vullneti të përbashkët të Këshillit Evropian, por është çështje e një bllokimi mes dy vendeve tjera [Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë]”, u shpreh Rama.
Ai, ndër tjerash, i bëri thirrje Bashkimit Evropian që Ballkani Perëndimor mos të mbetet jashtë planit për përballim të krizës ekonomike.
“Nëse Bashkimi Evropian do të ketë një plan për të mbështetur vendet, qoftë për përballimin e krizës energjetike, që është pjesa më e rëndë e krizës, qoftë për përballimin e pasojave tjera të luftës, të mos e lërë Ballkanin Perëndimor jashtë, siç e la kur bëri skemën e parë të shpërndarjes së vaksinave”, tha Rama.
Borrell dhe Rama thanë se kanë diskutuar mbi shqetësimin që është krijuar nga lufta në Ukrainë dhe të gjitha pasojat e saj që janë shfaqur në Evropë, sidomos në formën e rritjes së çmimeve.
Zyrtari i lartë i BE-së komentoi rritjen e çmimeve dhe shqetësimin e qytetarëve të Shqipërisë për to. Në Tiranë qe një javë qytetarë e aktivistë po protestojnë kundër rritjes së çmimeve. Ata po kundërshtojnë shtrenjtimin e karburanteve dhe ushqimeve, duke i kërkuar Qeverisë mbikëqyrjen e tregjeve.
“E di se keni hasur shqetësime të mëdha. Lufta ka krijuar një ndërprerje të madhe në ekonominë botërore”, tha ai. “Është pasojë e rritjes së çmimeve, e ndalimit të eksporteve. Unë paguaj energjinë e shtëpisë në Spanjë, më parë ka qenë 50 euro dhe tani ka shkuar njësia 500 euro. Kështu ka ndodhur me të gjithë”, tha Borrell duke shtuar se kjo rritje e çmimeve do të ndihet edhe më shumë nga vendet me më pak të ardhura.
Borrell tha, gjithashtu, se BE është e shqetësuar nga ndikimet pro-ruse në Ballkanin Perëndimor.
“Jemi të shqetësuar nga ndërhyrjet dhe influencat e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Keqinformimi rus, apo dezinforimi rus është rritur. E shohim këtë gjë. Shpjegimi që i bëhet luftës, duke thënë se kjo është një mënyrë për të mbrojtur popullin rus…është një mjet që po përdoret. Ne duhet të përballemi me influencën ruse, kudo ku ajo ndodhet”, u shpreh përfaqësuesi i Lartë i BE-së.
Vizita e Borrellit në Tiranë është pjesë e një turneu të tij në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Para Shqipërisë, Borrelli më 14 mars qëndroi në Maqedoninë e Veriut, ndërsa të mërkurën, më 16 mars, do të vizitojë edhe Bosnje e Hercegovinën.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri, shefi i diplomacisë së BE-së pritet të vizitojë punimet në restaurimin e një mozaiku të Muzeut Kombëtar të Historisë, që është financuar nga BE-ja pas tërmetit në Shqipëri.
(Gresa Kraja, REL)