Borrell: Normalizimi i raporteve me Serbinë, kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së

Mynih, 18 shkurt 2023 – Normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian, ka thënë Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së të shtunën, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

“U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter, pas takimit me Kurtin.

Ndërkaq, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës thuhet se në takim është diskutuar për “procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia” si edhe për “takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian”.

Në takim ka marrë pjesë edhe përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

(r.m.)