Borrell pas takimit Kurti – Vuçiq: Sot nuk arritëm marrëveshje, por negociatat do të vazhdojnë

Bruksel, 18 gusht 2022 – Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të dialogut të mbajtur më 18 gusht në Bruksel.

Por, ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.

“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.

Borrell tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin “takime të zakonshme”, por “takime për menaxhimin e krizës”.

Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.

“Nuk është koha për rritjen e tensioneve”

Borrell tha se tensionet në veri të Kosovës erdhën në kohën kur kontinenti evropian po përballet me një situatë të rrezikshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

“Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme. U thash të dy liderëve se ky ishte një takim për menaxhimin e krizës, jo një takim i zakonshëm dhe se qëllimi ishte të uleshin tensionet në terren”, tha Borrell.

Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, gjatë 18 gushtit zhvilluan dy takime.

Po ashtu, para takimit të parë trepalësh dhe pas tij, BE-ja ka mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë.

Dallime për “statusin final të raporteve” midis Kosovës dhe Serbisë

Borrell tha se gjatë takimeve është biseduar për marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se Kurti dhe Vuçiq e kuptuan se dialogu është e vetmja alternativë për të zgjidhur problemet.

“Ne po ashtu u përqendruam për rrugën përpara drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve”, theksoi Borrell gjatë një konference për media në Bruksel.

Shefi i diplomacisë së BE-së tha se çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vendosur lart në agjendën e tij.

“Sigurisht që ka dallime në pikëpamjet e tyre se si do të jetë statusi final i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ata u pajtuan të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në të ardhmen, në mënyrë që të lëvizet më shpejt me procesin e normalizimit”, tha ai.

Borrell përsëriti qëndrimin e BE-së se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim të situatës në terren.

As Kurti dhe as Vuçiq ende nuk i janë drejtuar mediave pas takimeve të sotme në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Vuçiq u largua nga ndërtesa e BE-së pa iu drejtuar mediave, ndërsa shefi i Zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, u tha gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t’i drejtohet publikut të premten, më 19 gusht.

“Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi”, tha Petkoviq.

Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ky ishte takimi i tretë i Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi. Dy takimet e para, në qershor dhe në korrik të vitit të kaluar, nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Në ndërtesën e BE-së ku u zhvilluan takimet qëndronte edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja i mbështet përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

(REL)