Borrell përgëzon Kurtin dhe Vuçiqin për arritjen e marrëveshjes për energjinë

Bruksel, 21 qershor 2022 – Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, bëri të ditur se kishte biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për t’i përgëzuar që delegacionet e dy vendeve arritën të martën, më 21 qershor, dakordësinë për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel.

“Bisedova sot me Aleksandar Vuçiq dhe Albin Kurtin për t’i përgëzuar ata mbi arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyesin e energjisë. Ky është një hap i madh dhe i rëndësishëm përpara për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të ketë rezultate konkrete për të gjithë qytetarët.” shkruan Borrell.

Në Bruksel sot, në mes të palëve nga Kosova dhe Serbia, është arritur dakordësia mbi udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë nga 2013.

Më herët, Bashkimi Evropian ka thënë se me marrëveshjen e sotme, Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe në veri.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës.

Bislimi tha se Elektrosever-i do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, si dhe do t’i faturojë dhe të mbledhë pagesa.

“Marrëveshja nuk e njeh Elektrosever-in si shpërndarës, do të thotë distribuimi është monopol i KEDS-it (Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike), por KEDS-i, në bazë të marrëveshjes së vitit 2015 ia nënkontrakton katër shërbime të veta Elektrosever-it. Do të thotë e mban pronësinë, e mban monopolin, por nënkontrakton shërbimin e vendosjes së matësve të energjisë elektrike, mirëmbajtjes së matësve, jo të rrjetit, faturimin e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike dhe inkasimit”, tha Bislimi gjatë një adresimi për gazetarë në Bruksel.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se udhërrëfyesi përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët. Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim, tha Petkoviq.

“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes – ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, tha Petkoviq.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999. Edhe i dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është “një hap i madh përpara”.

Nga viti 1999 deri më 2017, borxhin për veriun e Kosovës e kanë paguar qytetarët e komunave të tjera të Kosovës. Që nga viti 2017 e deri më sot, konsumi i energjisë elektrike në komunat në veri të Kosovës paguhet nga KOSTT-i, apo Qeveria e Kosovës.

(REL)