Bruksel, 15 nëntor 2021 – Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha të hënën se u ka dërguar ftesë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, për një takim para fundit të vitit.
Pas takimit të sotëm të ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, zoti Borrell tha se pjesë e diskutimeve ishin edhe bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Shpresoj të kemi edhe një takim në nivelin e lartë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, para fundit të vitit. Kjo është ftesa ime për ta”, tha zoti Borrell.
Ai tha se ministrat e Jashtëm presin që Prishtina dhe Beogradi të përmbushin marrëveshjet e arritura në bisedime, ndërsa shfaqi shpresën për përkushtim të palëve për të hedhur hapat tjerë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse.
Kosova dhe Serbia kanë ngecur në procesin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, që është kusht për integrimet evropiane dhe të dy udhëheqësit janë takuar dy herë, por pa ndonjë përparim.
Delegacionet e të dyja palëve pritet të takohen të martën për të diskutuar mes tjerash zbatimin e marrëveshjes për përdorimin e targave të automjeteve, mospajtimet rreth të cilave çuan në tensione të larta në fillim të vjeshtës.
(Zëri i Amerikës)