Borrell: Sulmuesit të dorëzohen menjëherë, pelegrinët të largohen të sigurt nga manastiri

Bruksel, 24 shtator 2023 – Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka biseduar në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me sulmet e grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, ku u vra një pjesëtar i Policisë së Kosovës dhe u plagosën dy të tjerë.

BE, përmes një komunikate për medie, bëri të ditur se Borrell e ka dënuar me shprehjet më të forta sulmin, të cilin ka quajtur “aggression”. Ai ka përsëritur thirrjen që sulmuesit të dorëzohen menjëherë dhe pelegrinët të largohen të sigurt nga Manastiri i Banjskës. Po ashtu ka bërë thirrje për rivendosjen sa më të shpejtë të qetësisë dhe stabilitetit.

“Pas sulmit të tmerrshëm dhe frikacak terrorist të sotëm kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti. Ai dënoi me shprehjet më të forta agresionin e sotëm”, thuhet në komunikatën e BE-së.

“Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij që sulmuesit të dorëzohen menjëherë dhe pelegrinët në Manastirin e Banjskës të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit”, thuhet më tutje në komunikatë.

“EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e tij dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi Special i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet”, thuhet në fund të komunikatës së BE-së.

Joseph Borrell i ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe të dashurve të zyrtarit të policisë që humbi jetën në krye të detyrës, ndërsa i uroi shërim të shpejtë policit të plagosur.

(r.m.)