Bruksel, 20 mars 2023 – Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, do t’i njoftojë ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të bllokut evropian lidhur me pajtimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Para fillimit të takimit, Borrell tha se zbatimi i marrëveshjes do të jetë pjesë integrale e procesit të integrimit evropian të të dyja palëve.
“Sa i përket Kosovës dhe Serbisë, ne zhvilluam një bisedë të gjatë që përfundoi me një marrëveshje që do të jetë pjesë integrale e rrugës evropiane për të dyja palët. Do të jetë pjesë e kapitullit të negociatave – kapitulli 35 në negociatat me Serbinë dhe do të përfshihet në dokumentin për normalizim dhe në kërkesat ndaj Kosovës”, tha ai, citon gazeta “Danas”.
Borrell tha se zbatimi i marrëveshjes është obligim i Kosovës dhe Serbisë, kurse Bashkimi Evropian do ta monitorojë me kujdes procesin.
“Është përgjegjësi e tyre, kurse ne do ta monitorojmë nga afër zbatimin”, tha ai.
“Të dyja palët janë pajtuar dhe janë përkushtuar ta bëjnë këtë dhe tani të shikojmë me kujdes se si do të zhvillohet”, shtoi Borrell.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën në Ohër u pajtuan me aneksin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian, por nuk e nënshkruan dokumentin.
Vuçiq, në adresimin e tij për publikun serb, tha se ai nuk ka nënshkruar asgjë dhe as nuk ka pranuar gjithçka, siç pretendojnë zyrtarët evropianë, kështu që nuk do të zbatojë gjithçka që parashihet në marrëveshje.
(r.m.)