Prishtinë, 3 prill 2023 – Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka dale në mbrojtje të ish krerëve dhe ish pjesëtarëve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që akuzohen nga Gjykata Speciale në Hagë për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Diplomati holandez që ka shërbyer në Kosovë në kohën kur është themeluar Gjykata Speciale, ka thënë se UÇK-ja nuk ka qenë organizatë kriminale, por organizatë që ka bashkëpunuar me NATO-n.
“Cilësimi i UÇK-së si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ është gjë qesharake. Ata (pjesëtarët e UÇK-së) kanë punuar për ne dhe NATO nuk do të punonte me ta”, ka deklaruar Bosch, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës.
“Për ne UÇK-ja ka qenë trupë në terren, pra ata kanë qenë miqtë tanë. Nëse UÇK-ja ka qenë organizatë kriminale, atëherë edhe ne jemi të tillë, sepse, në njëfarë mënyre, pjesëtarët e saj kanë punuar për ne”, ka theksuar ai.
Ish ambasadori holandez në Kosovë ka thënë se Gjykata Speciale për krime të luftës duhet tëishte themeluar në Kosovë. Ai ka thënë se kështu ka ndodhur në secilin vend ku ka pasur konflikte të armatosura.
Bosch ka thënë se personalisht ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale jashtë Kosovës, por zyrtarisht e ka shprehur qëndrimin e vendit të tij, Holandës, e cila ka qenë mbështetëse e formimit të Gjykatës Speciale jashtë Kosovës.
Ai ka thënë se kurrë nuk ka besuar në pretendimet e Dick Martyt për “trafikim të organeve njerëzore”, të cilat kanë ndikuar në krijimin e opinionit për themelimin e një gjykate speciale që do t’i gjykonte autorët e krimeve të tilla monstruoze.
(r.m.)