Bosnja e Hercegovina thotë se do t’i hetojë pretendimet se Radoiçiqi bleu armë në Tuzlla

Sarajevë, 3 tetor 2023 – Administrata Federale e Policisë në Bosnjë dhe Hercegovinë njoftoi më 3 tetor se do t’i hetojë pretendimet se një nga liderët e serbëve të Kosovës, Millan Radoiçiq, ka blerë në këtë shtet armë, municion dhe mjete shpërthyese të fuqishme dhe shkatërruese, të cilat kanë përfunduar në territorin e Kosovës.

Administrata Federale e Policisë tha për REL-in se “do të ndërmarrë aktivitete” për verifikimin e pretendimeve se Radoiçiq ka blerë armë, municione dhe mjete shpërthyese në Tuzlla.

“Në mëngjes do të kërkojmë nga autoritetet e Republikës së Serbisë që të na japin informacionin në dispozicion”, ka thënë Policia e Bosnjës e Hercegovinës.

Ministri i Brendshëm i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Ramo Isak, ka thënë se ai “nuk ka informacion për ndonjë armë në zonën e Tuzllës” që lidhet me rastin e Millan Radoiçiqit.

Edhe Zyra e Prokurorit të Kantonit të Tuzllës ka thënë se “nuk ka, as nuk mund të ketë ndonjë informacion” për trafik armësh në këtë qytet.

Milan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, në pjesën veriore të Kosovës, me 24 shtator, u ndalua të martën nga autoritetet në Beograd. Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Sipas Prokurorisë, atij i janë dorëzuar armët në territorin e qytetit të Beogradit,  më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, dhe më pas Radoiçiqi “i ka transportuar dhe ruajtur ato në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”.

Prokuroria e Lartë Publike në Beograd nuk tregoi nëse Radoiçiq është pyetur lidhur me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Basnjskë,  më 24 shtator.

(r.m.)