Bosnja forcon masat e sigurisë, për shkak të rrezikut nga terrorizmi i ndikuar nga konflikti Izrael-Hamas

Sarajevë, 19 tetor 2023 – Masat e sigurisë në Bosnje e Hercegovinë janë rritur në nivelin më të lartë për shkak të frikës nga përhapja e mundshme e krizës nga Lindja e Mesme, përkatësisht për shkak të konflikti mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

Kështu deklaroi ministri për Siguri i Bosnje e Hercegovinës, Nenad Neshiq, për agjencinë e lajmeve, SRNA.

“Ne po ndjekim ngjarjet, si në rajon ashtu edhe në botë, dhe ne presim që asnjë ngjarje të mos na befasojë”, tha Neshiq.

Pothuajse se gjysma e popullsisë së Bosnjës prej 3.3 milionë është myslimane.

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, tha më 18 tetor se Austria do të rrisë nivelin e paralajmërimit lidhur me kërcënimin nga terrorizmi.

Gjatë një konference për media në Vjenë, ai tha se shteti do të vendosë nivelin e sigurisë në nivelin e dytë më të lartë. Ky vendim është marrë pas vlerësimit se mund të ketë kërcënim dhe rrezik në rritje për sulme në Austri dhe kërcënimi është rritur për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme.

Edhe shtete të tjera evropiane, përfshirë Francën dhe Slloveninë kanë rritur nivelin e kërcënimit nga terrorizmi.

(REL)