Bosnja përfshin Interpolin në hetimin për prejardhjen e armëve të sulmit në Banjskë

Sarajevë, 5 tetor 2023 – Administrata Federale e Policisë në Bosnje-Hercegovinë është duke e verifikuar informacionin se armët e përdorura më 24 shtator në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, janë siguruar nga Tuzlla, qytet në veriperëndim të Bosnjës, ka thënë Vahidin Munjiq, ushtrues detyre i drejtorit të Policisë.
Munjiq ka thënë se dyshimet për transferim të armëve nga Tuzlla janë duke u hetuar përmes Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) dhe që Zyra e Prokurorit të Bosnje – Hercegovinës është informuar për gjithçka.
“Ne e kemi marrë informacionin dy ditë më parë, përmes mediave. Ne i kemi kërkuar INTERPOL-it që të na ofrojë informacione nga të gjitha agjencitë tjera, si nga Zyra e Prokurorit të Serbisë. Ne ende jemi në pritje se nuk mund të flasim më shumë”, ka thënë Munjiq.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serb e ka vendosur një barrikadë në hyrje të fshatit Banjskë, në veri të Kosovës, dhe më pas e ka sulmuar Policinë e Kosovës.
Si pasojë e sulmeve është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues.
Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.
Më 3 tetor, Radoiçiq është marrë në pyetje nga Prokuroria e Lartë Publike e Beogradit.
Prokuroria ka thënë se ai i ka “siguruar armët dhe pajisjet shpërthyese” nga Tuzlla, prej janarit të këtij viti deri më 24 shtator.
Xhevad Korman, drejtor i Administratës Policore në Kantonin e Tuzllës, ka thënë se Tuzlla është “në aspektin gjeopolitik më e përshtatshmja për një informacion të tillë”.
“Nuk kam ndonjë koment, mirëpo ndoshta është e gjitha pjesë e politikës së dikujt. Ne e dimë shumë mirë, nëse i analizojmë deklaratat e ditëve të fundit, që është vërtetuar se këto armë janë siguruar nga ushtria serbe. Nuk e përjashtoj që kanë ardhur prej kësaj zone, mirëpo dyshoj, sepse janë një numër agjencish që do të mund, apo do të duhej të dinin për këtë gjë”, ka thënë Korman.
Ai e ka përmendur se kjo çështje është kompetencë ekskluzive e Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje, dhe Zyrës së Prokurorit të Bosnje – Hercegovinës, sepse është një “krim ndërshtetëror”.
Zyra e Prokurorit të Lartë në Beograd nuk u është përgjigjur kërkesave të Radios Evropa e Lirë (REL) nëse ka të dhëna që armët janë siguruar në Tuzlla, dhe kush, potencialisht, i ka ndihmuar Radoiçiqit në transport.
As Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it se a ka informacione nëse armët janë transferuar përtej kufirit ndërmjet Serbisë dhe Bosnje – Hercegovinës dhe më tej nga Beogradi në territorin e Kosovës dhe nëse janë duke i hetuar këto pretendime.
Vetëm kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, më 4 tetor, deklaroi se Serbia do t’i “hetojë të gjitha rrethanat, në të cilat ndodhi sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë”.
Berko Zeçeviq, profesor nga Sarajeva në Departamentin e Teknologjive të Mbrojtjes dhe ekspert i balistikës mjeko-ligjore, thotë se i ka analizuar me kujdes të gjitha fotot e armëve të konfiskuara të publikuara nga Policia e Kosovës.
Ai thekson se nga shenjat në armë duket qartë se ato janë prodhuar në fabrika në Serbi.
Në të njëjtën kohë, deklarimin e Prokurorisë së Beogradit se armët janë siguruar nga Bosnje – Hercegovina e cilëson si “një metodë tipike e propagandës gri apo e një lufte hibride, me qëllim ridrejtimin e seriozitetit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, në Bosnje”.
“Kjo është një deklaratë e pakuptimtë”, thotë Zeçeviq.
Ai shton se në bazë të shenjave të detyrueshme identifikuese të armëve dhe municionit, është e lehtë të përcaktohet origjina e tyre dhe se menaxhmenti i secilës depo armësh duhet të mbajë shënime të qarta sipas atyre shenjave.
“Pronari i fundit ligjor i granatahedhësit automatik, i cili u konfiskua, është Forcat e Armatosura të Serbisë. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për raketat manuale 64 milimetra, të ashtuquajturat ‘zolla’. Ato janë riparuar në Serbi në vitin 2017 dhe janë ruajtur në depon e Forcave të Armatosura të Serbisë”, thotë Zeçeviq.
Ai, po ashtu, thotë se tingëllon joreale që ato armë janë transportuar në rajonin e Tuzllas, e më pas në Serbi.
Zeçeviq shton se në atë rast dërgesa duhet të “kontrabandohet” përmes juridiksionit të policisë së dy entiteteve në BeH, policisë kufitare dhe doganave të Bosnjë e Hercegovinës dhe Serbisë, dhe më pas njësive speciale të ngarkuara për parandalimin e kalimit të emigrantëve përtej kufirit.
“Atëherë kemi ardhur në pikën që ato armë duhet të vijnë në Beograd, i cili logjikisht mbrohet nga Agjencia Serbe për Sigurinë Informative (BIA). Pse dikush duhet të marrë kaq shumë rreziqe, kur ka depo shumë të mëdha të armëve dhe municionit në Serbi, të cilat janë nxjerrë nga Sllovenia në dekadat e mëparshme, Kroacia, Bosnja, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi”, thotë ai.
Ai shpjegon se fotografitë tregojnë paketim specifik të municioneve në kuti plastike, gjë që nuk ishte e zakonshme deri në vitin 1991.
“Në forcat e armatosura, kurrë nuk kam parë ambalazhe plastike si kjo”, thotë Zeçeviq.
Edhe Sellmo Cikotiq, i cili ka mbajtur postin e ministrit të Mbrojtjes dhe të Sigurisë të Bosnjë e Hercegovinës, pajtohet me vlerësimin se nuk ka bazë për pretendimin se armët kanë ardhur në Kosovë nga Bosnja.
“Është spekulim i pastër. Dhe, unë shoh se janë urdhëruar hetime, edhe pse Prokuroria në Beograd nuk ka ofruar asnjë provë për ta konfirmuar këtë. Duhet të presim derisa të konfirmohet apo mohohet zyrtarisht, por mendoj se këtu po përpiqen të përfshijnë Bosnjën dhe Hercegovinën në këtë histori, dhe në një mënyrë shumë të ndyrë dhe nuk mendoj se duhet të biem pre e kësaj”, shton ai.
Safet Mushiq, ekspert i çështjeve të sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka pasur përpjekje nga Qeveria serbe për të dezinformuar opinionin në rastin e Radoiçiqit.
“Mund të themi realisht se kufijtë në Ballkanin Perëndimor janë porozë dhe mund të shohim se nga emigrantët nuk janë plotësisht të siguruar, kështu që është e dukshme që armët ilegale qarkullojnë herë pas here. Por, është joreale të pritet që armët e prodhuara në vitin 2021 mund të kishin ardhur në BeH, e pastaj sërish të hynin ilegalisht në Serbi. Informacionet nga MPB-ja e Kosovës thonë se një pjesë e armëve janë prodhuar në vitin 2021”, thekson ai.
Ai shton se është evidente se sulmi ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë nuk ka mundur të ndodhë pa dijeninë e strukturave të inteligjencës së Serbisë.
“Ata kishin informacione dhe është e vështirë të vërtetohet se sa dikush është i përfshirë në të dhe prandaj është mosmirënjohje të komentohet”, thotë ai.
Për Senad Biliqin, një avokat nga Sarajeva që merret me të drejtën penale, “është e palogjikshme që institucionet e Bosnjës po e hetojnë këtë rast fare duke u bazuar vetëm në deklaratën e Radoiçiqit”.
“Një person i dyshuar në procedim penal ka të drejtë të thotë se në momentin e kryerjes së veprës penale ka qenë p.sh. në Mars, dhe do të shkoni në Mars për të kontrolluar? Nëse kështu kanë vepruar institucionet për deklaratat mbrojtëse të secilit të dyshuar, atëherë do të merreshin vetëm me këtë”, thekson Biliq.
Sipas tij, hetimet hapen në bazë të kërkesave zyrtare të institucioneve të vendeve të tjera.
Sipas indeksit të krimit të organizuar të Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, tregtia e armëve në Ballkanin Perëndimor renditet shumë lart dhe është e treta në listë.
Aleksandar Srbinovski, koordinator i Iniciativës Globale për Maqedoninë e Veriut , një organizatë joqeveritare ndërkombëtare për zhvillimin e strategjive për të luftuar krimin e organizuar, thotë për REL-in se, “lufta në Ukrainë i dha jetë të ashtuquajturës rrugë ballkanike, përmes së cilës ofrohet kontrabanda e armëve në kanale, përmes së cilave kontrabandohen edhe aktivitete të tjera të paligjshme kriminale, siç është kontrabanda e drogës”.
Në raportin e Iniciativës Globale për Indeksin Global të Krimit të Organizuar për vitin 2023, i cili u publikua në fund të shtatorit, thuhet se Serbia është një qendër transiti në qarkullimin e armëve nëpër Ballkanin Perëndimor.
(REL)