Bota bën thirrje për ndaljen e luftimeve midis Armenisë dhe Azerbajxhanit

Nju Jork, 14 shtator 2022 – Liderët botërorë kanë bërë thirrje për ndalje të menjëhershme të armiqësive midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Këto thirrje vijnë pasi pothuajse 100 ushtarë u vranë në luftimet në kufirin midis këtyre dy shteteve. Këto janë përleshjet më vdekjeprurëse që nga përfundimi i luftës së vitit 2020 mbi rajonin e shkëputur të Nagorno-Karabakut.

Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha më 13 shtator se i janë vrarë 50 ushtarë, ndërkaq Armenia raportoi për të paktën 49 ushtarë të vrarë. Luftimet kanë shtyrë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kombet e Bashkuara që t’u bëjnë thirrje të dyja shteteve që të ndalin luftimet.

Por, në orët e para të 14 shtatorit, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë akuzoi Azerbajxhanin se ka rinisur granatimet.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u bëri thirrje palëve që në mënyrë urgjente të ulin tensionet, teksa u kërkoi që të “tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të zgjidhin çështjet e hapura përmes dialogut dhe brenda formateve ekzistuese”, tha zëdhënësi i Guterres, Stephane Dujarric.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka zhvilluar biseda telefonike me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinian, dhe presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Zëdhënësi i tij, Ned Price, tha se Uashingtoni do të “shtyjë përpara ndaljen e menjëhershme të luftimeve dhe një zgjidhje paqësore” midis shteteve fqinje, ndërkaq diplomati veteran amerikan, Philip Reeker – që së fundmi është ngarkuar që të ndihmojë në nisjen e negociatave mes këtyre dy shteteve të Kaukazit – më 13 shtator qëndroi në Baku, por vizita e tij në kryeqytetin azerbajxhanas ishte planifikuar më herët.

Blinken i ka thënë Aliyevit dhe Pashinianit se konflikti “nuk është në interes të askujt” dhe u ka bërë thirrje palëve “që të bëjnë gjithçka të mundshme që të tërhiqen nga konflikti dhe t’u rikthehen bisedimeve për arritjen e një paqeje afatgjatë”.

Ndërkaq, zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron, tha se Franca do të ngrehë si çështje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së përplasjet mes Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Më 13 shtator, Kremlini tha se presidenti rus, Vladimir Putin, po bën gjithçka për të ndihmuar në uljen e armiqësive.

“Presidenti po bën çdo përpjekje për të kontribuar në uljen e tensioneve në kufi. Këto përpjekje po vazhdojnë”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Blinken po ashtu tha se roli i Moskës në procesin e paqes është “gjithmonë shqetësues”, por shtoi se “nëse Rusia vërtetë arrin të përdorë ndikimin e saj për të qetësuar ujërat… kjo do të ishte diçka pozitive”.

Qeveria armene më herët tha se do të aktivizojë marrëveshjen e bashkëpunimit me Moskën dhe i ka bërë apel për ndihmë Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive (CSTO) – bllok rajonal i sigurisë i udhëhequr nga Rusia – dhe Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Në CSTO bën pjesë Armenia, por jo edhe Azerbajxhani. Kjo organizatë zhvilloi një takim virtual më 13 shtator për të diskutuar lidhur me situatën.

Pas takimit, presidenca bjelloruse raportoi se sekretari i Përgjithshëm i CSTO-së mund të shkojë në zonën e konfliktit. Kjo vizitë është propozuar si një prej hapave që do të mund të ulnin menjëherë tensionet.

Sekretari i Përgjithshëm i CSTO-së, Stanislav Zas, po ashtu do ta shfrytëzonte këtë vizitë për të përgatitur një raport. Një propozim tjetër ishte që të formohet një grup punues nga stafi i Sekretariatit të CSTO-s për të analizuar situatën dhe propozimet për të, u tha në deklaratën e kësaj organizate.

Më 13 shtator, Rusia tha se ka ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi, por Azerbajxhani akuzoi forcat etnike armene për shkelje të marrëveshjes. Armenia hodhi poshtë akuzat dhe fajësoi Azerbajxhanin për granatimin e pozicioneve të trupave etnike armene, por edhe të vendbanimeve dhe infrastrukturës.

Të dyja palët kanë zhvilluar një luftë 44-ditore më 2020 në të cilën u vranë mbi 6.500 persona. Luftimet u ndalën pas një marrëveshjeje armëpushimi të ndërmjetësuar nga Moska, përmes së cilës Azerbajxhani fitoi kontrollin e të gjitha qarqeve përreth Nagorno-Karabakut, por edhe disa pjesë të territorit brenda vetë këtij rajoni të shkëputur.

Rreth 2.000 paqeruajtës rusë u vendosën në rajon për të mbikëqyrur marrëveshjen e armëpushimit.

Rajoni i Nagorno-Karabakut, i banuar me popullsi kryesisht armene, kishte status autonom brenda Azerbajxhanit sovjetik. Por, ky rajon shpalli pavarësinë nga Bakuja pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, që nxiti luftën e viteve 1992-94. Nga kjo luftë vlerësohet se humbën jetën 30.000 persona dhe u zhvendosën mijëra të tjerë.

Pas luftës së viteve 1992-94, armenët etnikë morën kontrollin e shumicës së rajonit, por edhe të disa qarqeve të Azerbajxhanit.

Bashkësia ndërkombëtare ka ndërmjetësuar bisedimeve me përfshirjen edhe të Grupit të Minskut – që bashkëudhëhiqet nga SHBA-ja, Rusia dhe Franca – por, këto përpjekje diplomatike kanë dështuar që të japin rezultate.

(REL)