Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

Shumë shtet dhe organizata ndërkombëtare ofruann ndihmë për banorët e zonës së goditur nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe në Siri.

Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Jake Sullivan tha se presidenti Joe Biden udhëzoi Agjencinë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe partnerët e tjerë federalë “të vlerësojnë mundësitë e reagimit amerikan për të ndihmuar më të prekurit”.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga raportet për tërmetin e sotëm shkatërrues në Turqi dhe Siri. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë çdo ndihmë të nevojshme, “tha zoti Sullivan në një deklaratë.

Bashkimi Evropian tha se po dërgonte ekipe shpëtimi në rajon, me njësitë nga Holanda dhe Rumania “tashmë në rrugë e sipër”.

Presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministri britanik Rishi Sunak, thanë se qeveritë e tyre ishin të gatshme për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.

“Greqia po mobilizon burimet e saj dhe do të ndihmojë menjëherë”, shkroi në Twitter kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se ekipet e kërkim-shpëtimit, si dhe ndihma mjekësore, do të dërgohen në Turqi në përgjigje të një kërkese nga qeveria turke.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ofroi gjithashtu mbështetjen e qeverisë së tij, “Jam i tronditur me vdekjet dhe plagosjet e qindra njerëzve si pasojë e tërmetit në Turqi”, shkroi presidenti Zelenskyy.

“U shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave dhe të plagosurve u urojmë shërim të shpejtë. Në këtë kohë, ne qëndrojmë pranë popullit mik turk dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, shkroi ai.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha se Qendra për përgjigje dhe koordinim për emergjenca e BE-së është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që u ndihmon ekipeve të shpëtimit në terren që ta kryejnë punën në mënyrë më efikase.

(r.m.)