Bozdo: Amnistia fiskale mund të sjellë përjashtimin e bankave shqiptare nga sistemi SWIFT

Tiranë, 21 dhjetor 2022 – Eksperti i ekonomisë, Eno Bozdo, i cili është anëtar i kryesisë së PD, ka thënë se amnistia fiskale i hap rrugë pastrimit të parave dhe kapjes së biznesit nga krimi i organizuar.

Bozdo ka thënë se miratimi eventual i ligjit për amnistinë fiskale, për të cilin po këmbëngul kryeministri Edi Rama përkundër rekomandimit të institucioneve ndërkombëtare, rrezikon t’i nxjerrë bankat shqiptare jashtë sistemit ndërkombëtar SWIFT.

“Me këtë që dimë dimë që kjo i hap rrugën gjithçkaje, pastrimit të parave, marrjen e bizneseve nga krimi i organizuar, larjen e parave në ndërtim ky ligj e parashikon. Edhe sikur të nisemi nga prezumimi i pafajësisë të kryeministrit që do të sjellë kursimet e emigrantëve në vend, ai ka pasur ekspertizën që i thotë se e kanë të pamundur të vijnë në vend dhe t’i legalizojnë këto para. Kjo qëndron. Kryeministri e di këtë.

E dyta është se ai e di që sasia informale e parave që ekziston është në rekordin më të lartë në këto 30 vite. Në tregun informal qarkullojnë 2.4 miliardë lekë dhe janë shtuar. Le të marrim një shembull, marrim një emigrant në Itali që me punën e tij paska kursyer 100 ijë euro, jo më shumë se kaq. Çfarë do bëjë që t’i legalizojë. Që t’i sjellë duhet të kalojë kufirin duke i deklaruar, e zëmë se bën dhe këtë do i dorëzojë në bankën përkatëse. Bankat këtu futen në një problematikë, ato janë të lidhura me bankat e mëdha ndërkombëtare që i detyrojnë ato të adaptojnë një set rregullash që parandalon paratë e pista. Nëse bankat nuk e bëjnë këtë gjë do detyrohen të marrin masa, dhe ndoshta do ndalohet SWIFT-i për gjithë bankat shqiptare, e di kryeministri këtë se ja kanë thënë”, ka thënë Bozdo, transmeton Balkanweb.

(r.m.)