BQK: Në vitin 2024, ekonomia e Kosovës pritet të rritet 3.9 për qind

Prishtinë, 23 gusht 2024 – Banka Qendrore e Kosovës (BQK) e ka publikuar projeksionin e saj për rritjen ekonomike në Kosovë gjatë vitit 2024.

Sipas projeksioneve të saj, ekonomia e Kosovës sivjet pritet të rritet me 3.9 për qind. Këto projeksione bazohen në rritjen e të ardhurave reale të disponueshme, uljen e inflacionit dhe rritjen e burimeve të financimit.

“Sipas projeksioneve të BQK-së, ekonomia pritet të rritet me 3.9 përqind gjatë vitit 2024. Kjo rritje pritet të mbështetet nga rritja e konsumit, investimeve dhe eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Ndërkohë, importi i mallrave dhe shërbimeve pritet të ketë një ndikim negativ në rritjen e BPV-së”, thuhet në raportin e BQK-së për periudhën tremujore.

BQK njofton se sipas vlerësimeve preliminare të ASK-së, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.6 përqind në TM1 2024.

“Përshpejtimi i rritjes ekonomike kundrejt periudhës së njëjtë të vitit të kaluar lidhet kryesisht me dinamikën e kërkesës vendore, ndërsa eksportet neto ndikuan negativisht aktivitetin ekonomik si rezultat i rritjes së kërkesës vendore që u shoqërua me rritje të importit, liberalizimit të vizave që ka ndikuar në rritjen e importit të shërbimeve të udhëtimit, dinamikave të çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe kërkesa e dobësuar në Eurozonë”, thuhet në raport.

Rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit 2024 është mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet, që kontribuan me 9.1 përkatësisht 1.0 pikë përqindje. Në anën tjetër, eksportet neto patën një ndikim negativ në rritjen reale të BPV-së me

“Në TM1 2024, konsumi është rritur për 8.9 përqind, një rritje shumë më e lartë krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar. Investimet shënuan rritje për 3.1 përqind, kryesisht për shkak të rritjes së investimeve publike dhe kreditimi”, thuhet në raport.

“Sa i përket tregtisë së jashtme, eksportet neto thelluan deficitin tregtar për 12.7 përqind. Rritja e deficitit tregtar ishte pasojë e rritjes së importit të mallrave dhe shërbimeve për 9.1 përqind (importi i mallrave shënoi rritje për 6.9 përqind, ndërsa importi i shërbimeve shënoi rritje për 30.8 përqind), si dhe rënies së eksportit të mallrave për 1.9 përqind, ndërsa eksporti i shërbimeve shënoi rritje për 14.0 përqind”, thuhet më tutje në raport

Banka Qendrore e Kosovës ka treguar se bankat komerciale në Kosovë vazhdojnë t’i rrisin fitimet e tyre vit pas viti. Ky sektor financiar ka arritur të ketë një profit të lartë në periudhën janar-qershor 2024. Sipas raportit të BQK-së, në gjashtë muajt e parë të këtij viti bankat komerciale kanë pasur fitim të pastër 90.9 milionë euro ose 8.2 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të viti të kaluar.

Në gjashtë mujorin e parë të vitit 2023 fitimi i bankave ka qenë 82.6 milionë euro, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2022 profiti i bankave komerciale ka qenë 65 milionë euro.

 (r.m.)