Tiranë, 1 korrik 2022 – Ambasadorja e SHBA-ve Yuri Kim, e ka mirëpritur sot në Shqipër mbërritjen e Brigadës së Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA-së, njësi kjo e stërvitjes ushtarake amerikane që është në partneritet me njësinë ushtarake kryesore shqiptare.
“Shqipëri Brigada e Asistencës së Forcave të Sigurisë së SHBA, e cila është njësia kryesore e stërvitjes ushtarake e ushtrisë sonë, është në partneritet me njësinë ushtarake kryesore shqiptare – Grup Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë – për të forcuar aftësitë ushtarake të Shqipërisë. Grup Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të tij të aftësisë së NATO-s”, ka thënë ambasadorja Kim, në ceremoninë e organizuar me rastin e arritjes së brigadës amerikane.
“… forcat shqiptare vazhdojnë të përmirësohen përmes modernizimit, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndryshimeve strukturore që do të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për sigurinë rajonale dhe globale”, theksoi ajo.
Nëceremoninëe rastit mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Fjala e plotë e ambasadores Kim:
Ministër Peleshi,
Gjeneral Brigade, Kingji,
Gjeneral Brigade, Schaertl,
Ndërsa shënojmë 100 vjet të marrëdhënieve, po gjejmë një mënyrë vërtet historike për ta çuar në lartësi të reja marrëdhënien tonë ushtarake.
Për dhjetëvjeçarë me rradhë, trupat shqiptare dhe amerikane janë stërvitur, kanë luftuar dhe kanë jetuar krah për krah në të gjithë botën. Por sot, ne shënojmë një hap të rëndësishëm në partneritetin tonë dypalësh të mbrojtjes këtu, në Shqipëri.
Në fillim të këtij viti, më 9 mars, ne ngritëm në Tiranë Shtabin Rajonal për Ballkanin të Forcave Speciale të SHBA-së – praninë e parë të vazhdueshme në histori të forcave ushtrake të SHBA-së në Shqipëri. Sot, kemi kënaqësinë të vëmë në funksion zyrtarisht një tjetër element të pranisë sonë: Brigadën e Forcave të Sigurisë dhe të Ndihmës së Ushtrisë së SHBA, e njohur gjithashtu si SFAB.
SFAB, e cila është njësia kryesore e stërvitjes ushtarake e ushtrisë sonë, është në partneritet me njësinë ushtarake kryesore shqiptare – Grup Batalionin e Këmbësorisë së Lehtë – për të forcuar aftësitë ushtarake të Shqipërisë. Grup Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë ka bërë tashmë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së objektivave të tij të aftësisë së NATO-s.
Nën ministrin Peleshi dhe gjeneral brigade Kingji, forcat shqiptare vazhdojnë të përmirësohen përmes modernizimit, zhvillimit të infrastrukturës dhe ndryshimeve strukturore që do të luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë, por për sigurinë rajonale dhe globale. Në të vërtetë, pushtimi i paprovokuar, i pajustifikueshëm, brutal i Rusisë ndaj Ukrainës, e bën të qartë se aftësitë dhe ndërveprueshmëria e Aleatëve të NATO-s janë vendimtare.
Ushtarët e SFAB janë drejtues të sprovuar që janë më të mirët në zanatin e tyre dhe ata do të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira në çdo orë, të çdo dite, për të siguruar që forcat amerikane dhe shqiptare të mund ta bëjnë këtë. Gjithashtu, ushtarët tanë të SFAB do të forcojnë pa dyshim më tej lidhjen e pathyeshme midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Trupat amerikane dhe shqiptare këtu sot, i përshëndes dhe i falënderoj për kontributin tuaj në marrëdhëniet e qëndrueshme SHBA-Shqipëri. Puna që do të kryeni së bashku do të na ndihmojë të ndërtojmë 100 vitet e ardhshme të marrëdhënieve.
Faleminderit!
(r.m.)