Britania bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës

Londër, 16 qershor 2023 – Mbretëria e Bashkuar ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës të arrestuar më 14 qershor nga forcat serbe në veri të Kosovës.

Kosova e konsideron arrestimin e tre zyrtarëve policorë si rrëmbim nga autoritetet e Serbisë në territorin e saj. Sipas Policisë së Kosovës, zyrtarët policorë janë arrestuar në Tresave/Bare që gjendet në komunën e Leposaviqit, brenda territorit të Kosovës.

Beogradi, në anën tjetër, deklaron se nuk bëhet fjalë për rrëmbim, por për arrestim të policëve në territorin serb.

Dy ditë më vonë, autoritetet e Serbisë nuk kanë ofruar ende asnjë informacion lidhur me të arrestuarit.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të shmangin masat e njëanshme dhe të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ulur tensionet”, thuhet në një njoftim të Qeverisë britanike.

Përmes kësaj deklarate u përsërit thirrja e këtij shteti ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Qeverisë së tij që të sigurojnë që kryetarët e zgjedhur të komunave të kryejnë detyrat e tyre kalimtare nga lokacione alternative jashtë ndërtesave komunale dhe që njësitë speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga ndërtesat komunale.

“Zgjedhjet e reja, gjithëpërfshirëse duhet të shpallen sa më shpejt të jetë e mundur. Ne presim dhe inkurajojmë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje”, thotë deklarata.

Qeveria britanike, gjithashtu, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë “të angazhohen menjëherë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe në veçanti të fillojnë punën pa vonesa të mëtejshme për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe”.

(REL)