Britania dhe SHBA po verifikojnë raportimet se Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë

Uashington, 12 prill 2022 –Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë të ditur se do të verifikojnë raportimet se Rusia ka përdorur armë kimike në Ukrainë. 

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss, ka thënë se tashmë kanë nosur hetimet lidhur me këto raportime.

“Ne po punojmë urgjentisht me partnerët për të verifikuar detajet. Çdo përdorim i armëve të tilla do të ishte një përshkallëzim i pashpirt në këtë konflikt dhe ne do të mbajmë përgjegjës [presidentin rus Vladimir] Putinin dhe regjimin e tij”, ka thënë Truss.

Ndërkaq, Pentagoni tha se është në dijeni për raportimet në lidhje me pretendimin se forcat ruse kanë përdorur municion me përmbajtje kimike në qytetin e rrethuar të Mariupolit, në jug të Ukrainës.

Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së, John Kirby, ka thënë se tash për tash nukmund të konfirmohen  këto raportime, por SHBA do të hetojë lidhurme këto raportime.

“Ne nuk mund ta konfirmojmë në këtë moment dhe do të vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, ka thënë Kirby.

Këto deklarata vijnë pas raportimeve të forcave ukrainase që po e mbrojnë qytetin e Mariupolit se trupat ruse “përdorën një substancë helmuese me origjinë të panjohur kundër forcave dhe civilëve ukrainas” në qytetin port në jug të Ukrainës.

Petro Andryushchenko, ndihmës i kryebashkiakut të Mariupolit, shkroi në kanalin e tij në Telegram se raportet për një sulm kimik nuk janë të konfirmuara dhe shtoi se ai priste të jepeshin sqarime më vonë.

Rusia nuk i ka komentuar publikisht raportimet se forcat e saj kanë përdorur armë kimike. Por, zyrtarët ukrainas dhe ata perëndimorë e kanë akuzuar Moskën se që nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës kishte planifikuar edhe përdorimin e armëve kimike në Ukrainë, por deri më sot nuk është vërtetuar asnjë sulm i tillë.

(r.m.)