Britania do të dërgojë në Ukrainë raketa me rreze të gjatë veprimi

Londër, 6 qershor 2022 – Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë raketat e para me rreze të gjatë në Ukrainë, pavarësisht kërcënimeve të Rusisë ndaj Perëndimit.

Ministri britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se disa sisteme raketore M270 do të dërgohen në Ukrainë, në mënyrë që ky shtet të mbrohet nga Rusia.

Qeveria britanike nuk ka konfirmuar sa armë të tilla do të dërgohen, mirëpo transmetuesi britanik, BBC, ka marrë vesh që fillimisht do të nisen tri të tilla.

Qeveria ka thënë se ushtria ukrainase do të trajnohet për përdorimin e  lansueseve të këtyre raketave gjatë javëve në vazhdim.

Ministri Wallace ka thënë se Mbretëria e Bashkuar është duke marrë rol udhëheqës në furnizim të trupave ukrainase me “armë të rëndësishme, të cilat janë të nevojshme për të mbrojtur shtetin nga pushtimi i paprovokuar”.

“Këto sisteme raketore do t’iu mundësojnë shokëve ukrainas të mbrojnë veten më shumë kundër artilerisë së rëndë, të cilën forcat e Putinit e përdorin pa dallim nëpër qytete”, ka thënë ai.

Sistemet raketore britanike mund të lëshojnë 12 raketa tokë-tokë në minut dhe mund të godasin me precizitet të lartë shënjestra deri në 80 kilometra distancë.

Ky sistem është i ngjashëm me sistemin HIMARS që SHBA-ja dërgon në Ukrainë.

Uashingtoni ka thënë se do të dërgojë armë të tilla në Ukrainë pas garancive të marra se raketat do të përdoren për qëllime të mbrojtjes dhe nuk do të sulmojnë shënjestra brenda Rusisë.

(r.m.)