Britania do t’i ofrojë Ukrainës ndihmë ushtarake shtesë

Londër, 23 shkurt 2022 – Britania tha se është e gatshme që t’i ofrojë Ukrainës mbështetje shtesë ushtarake, përfshirë armë mbrojtëse vdekjeprurëse si dhe garanci për kredi, me qëllim që të ndihmojë Kievin “që të përballojë agresionin rus”.

“Në kohën e rritjes së sjelljeve kërcënuese nga Rusia dhe në linjë me mbështetjen tonë të mëhershme, Mbretëria e Bashkuar së shpejti do të ofrojë një pako të re të mbështetjes ushtarake për Ukrainën”, tha kryeministri Boris Johnson para Parlamentit britanik më 23 shkurt.

“Kjo pako do të përfshijë ndihmë vdekjeprurëse në formë të armëve mbrojtëse si dhe ndihmë jovdekjeprurëse”, shtoi ai.

Britania është në mesin e shteteve më të zëshme në Perëndim që ka dënuar veprimet ruse dhe ka mbështetur Ukrainën. Britania po ashtu ka vendosur sanksione ndaj Moskës.

Më 22 shkurt, Johnson njoftoi se kanë vendosur sanksione ndaj pesë bankave ruse dhe biznesmenëve të pasur rusë dhe shtoi se Qeveria do të ndalojë kompanitë ruse për të përdorur funtet britanike dhe dollarët amerikanë për bizneset e tyre.

Më herët gjatë 23 shkurtit, Zyra e Jashtme britanike tha se do të ofrojë deri në 500 milionë dollarë garanci të kredive ndaj Kievit, për të mbështetur projekte që do të kontribuojnë në stabilitetin ekonomik dhe në reforma, përfshirë edhe në luftën kundër korrupsionit.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka njohur dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës si shtete të pavarura dhe ka thënë se do të dërgojë trupa ruse atje. Kjo lëvizje është dënuar nga Perëndimi dhe ka rritur frikën për një pushtim të plotë.

Shtetet e Bashkuara po ashtu kanë vendosur sanksione ekonomike ndaj Rusisë, pas njohjes së rajoneve të Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura. Pjesë të këtyre dy rajoneve lindore kontrollohen nga separatistët që mbështeten nga Rusia.

(REL)