Britania e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Prishtinë, 13 maj 2022 – Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, i ka uruar sukses Kosovës në synimin e saj për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

Abbot, në një postim në Facebook, e ka cilësuar aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.

“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj. Gjithashtu është një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin ndërkombëtar Kosovës i uroj suksese!”, ka shkruar ambasadori britanik.

Kosova ka aplikuar të enjten për anëtarësim në Këshillin e Evropës, i cili i ka 46 anëtare. Për pranim në këtë organizatë mjaftojnë 31. 34 anëtare të Këshillit të Evropës e kanë njohur shtetin e Kosovës.

(r.m.)