Britania e paralajmëron pasoja për Rusinë, nëse e pushton Ukrainën

Londër, 10 shkurt 2022 – Britania e ka paralajmëruar sërish presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se  do të përballet me sanksionet e perëndimit në rast të pushimit të Ukrainës.

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, tha se askush nuk do të fitonte nga pushtimi i një shteti sovran.

Ai tha po ashtu se bisedimet në kërkim të zgjidhjes së krizës në Ukrainë janë “të ngadalshme”.

“Pavarësisht bisedimeve, gjërat po rrjedhin në mënyrën e gabuar”, i tha Wallace BBC-së.

“Rusët janë duke rritur akoma numrin e trupave. Ata po planifikojnë të fillojnë një stërvitje strategjike bërthamore së shpejti”, tha Wallace.

Wallace tha të enjten, më 10 shkurt, se Britania mund të dërgojë trupa të tjera për mbështetjen e aleatëve të saj në Evropën Lindore dhe Jugore, nëse kjo i kërkohet.

Ndërkohë, Rusia dhe Bjellorusia kanë nisur stërvitjet e përbashkëta ushtarake që pritet të zgjasin 10 ditë.

(REL)