Britania vendos sanksione ndaj pesë bankave ruse

Londër, 22 shkurt 2022 – Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka njoftuar se pesë banka ruse do të sanksionohen nga Britania e Madhe.

Në fjalimin e tij para parlamentit britanik, ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për bankat: “Rossiya”, “IS Bank”, “General Bank”,” Promsvyazbank” dhe “Black Sea Bank”.

Johnson ka thënë se ka sanksionuar edhe tre rusë të pasur: Gennady Timchenko, Boris Rotenberg dhe Igor Rotenberg.

“Çdo pasuri që ata mbajnë në Mbretërinë e Bashkuar do të ngrihet. Individët në fjalë do të ndalohen të udhëtojnë këtu. Ne do t’i ndalojmë edhe të gjithë individët dhe subjektet në Mbretërinë e Bashkuar që do të kenë ndonjë marrëdhënie me ta”, ka thënë Kryeministri britanik, transmeton BBC.

Johnson ka paralajmëruar edhe sanksione të tjera ndaj Rusisë dhe subjekteve dhe individëve të lidhur me pushtetin në Rusi.

“Ky është kësti i parë, breshëria e parë e asaj që ne jemi të përgatitur të bëjmë dhe ne jemi gati të vendosim edhe sanksione të tjera”, ka thënë ai.

Johnson ka thënë se Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka shkelur në mënyrë flagrante marrëveshjet e Minskut, duke njohur dy rajonet e kontrolluara nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore.

Ai ka theksuar se Moska i ka shpërfillur përpjekjet e SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë për të shmangur konfliktin, prandaj do të përballet me reagimin e  fuqishëm të Perendimit.

(r.m.)