Nëntëmbëdhjetë persona, përfshirë 9 fëmijë, kanë humbur jetën nga një zjarr në një apartament në qytetin e Nju Jorkut, për të cilin komisioneri i zjarrfikësve të këtij qyteti tha se ishte një nga zjarret më të rënda që ka parë. Numri i viktimave u konfirmua nga kryebashkiaku i Nji Jorkut, Eric Adams.
Dhjetra persona kanë marrë plagë nga zjarri në lagjen e Bronksit dhe të paktën 32 prej tyre janë shtruar në spital. Sipas Departamentit të Zjarrfikësve të Qytetit të Nju Jorkut, rreth 200 zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje të dielën në apartamentin “Twin Park”.
Shkaku i tij nuk dihet ende, u tha gazetarëve komisioneri i departamentit të zjarrfikësve të Nju Jorkut, Daniel Nigro në një konferencë shtypi të dielën.
“Zjarrfikësit gjetën viktima në çdo kat dhe po i nxirrnin jashtë ndërsa ata po përjetonin arrese kardiak dhe bllokim të frymëmarrjes,” tha ai.
Zoti Nigro tha se tymi ishte përhapur në çdo kat të ndërtesës ndoshta sepse dera e apartamentit ku kishte rënë zjarri ishte lënë e hapur dhe se viktimat kishin thithur sasi të konsiderueshme tymi. (VOA)