Në mbështetje të analizës së nacionalistit Gjok Dabaj
Prof.dr. Eshref Ymeri
Në numrin e sotëm të Portalit “Fjala e Lirë”, 02 mars, lexova analizën e intelektualit nacionalist Gjokë Dabaj, me titull “Hajvanllëqet e Evropës nuk kanë të mbaruar”.
Në krye të analizës, Redaksia e Portalit kishte bërë prezantimin e këtij intelektuali të nderuar, për çka Prof.dr. Fatmir Terziu meriton falënderime të përzemërta.
Analizat e intelektali Gjokë Dabaj, të botuara shpesh herë në faqet e këtij Portali, dëshmojnë më së miri se ai është një atdhetar i madh, një shqiptar i vërtetë. Me këtë rast, dëshiroj ta përshëndes dhe t’i shtrëngoj dorën për analizën e shkëlqyer. Ai, me shumë të drejtë, Evropës ia ka nxjerrë bojën paq. Unë, në analizat e mia, duke pasur parasysh largimin fort domethënës të Londrës nga Bashkimi Evropian, Evropën nuk e kam quajtur më Evropë, por e kam quajtur dhe vazhdoj ta quaj Brukselizëm. Në qoftë se Brukselizmi do të kishte pasur sadopak tru në kokë, duhej të kishte rënë në përsiatje të thella pas largimit të Anglisë, si një ndër shtetet më me autoritet në botë. Brukselizmit i ka zënë rrota bishtin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se po të mos ishin Shtetet e Bashkuara, Brukselizmi do të ishte përqafuar dhe puthur me kohë me Moskën. Ai sulmi i Makronit kundër NATO-s ishte me domethënie të thellë. Nga tribuna e Brukselizmit Makroni deklaroi: “NATO po përjeton vdekje klinike dhe BE duhet të rimarrë sovranitetin ushtarak”. Kjo ishte një deklaratë sa e turpshme, aq edhe paradoksale. Kjo ishte mosmirënjohja më e thellë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj Anglisë, të cilat luajtën rolin vendimtar për zbarkimin e trupave të tyre në Normandi në qershor të vitit 1944, pikërisht për çlirimin e Perëndimit evropian nga nazizmi. Por, çuditërisht, askush nga mumjet e parlamentit të Brukselizmit nuk iu kundërvu Makronit për deklaratën e tij antiamerikane, antiangleze dhe proruse. Ç’t”i bësh! Makroni, si politikan prorus, me këtë deklaratë ka dashur të thotë që Shtetet e Bashkuara duhet të hiqen qafe nga Perëndimi evropian. Harron, i shkreti, se sikur amerikanoanglezët të mos kishin zbarkuar në Normandi, Perëndimi evropian do të kishte rënë nën çizmen ruse. Se Stalini, pas ndarjes që i bëri Polonisë me Hitlerin në shtator të vitit 1939, kishte përgatitur planin për sulm kundër Gjermanisë, i cili, siç ka deklaruar gjenerali Ivanov, do të fillonte të djelën e 06 korrikut 1941. Dhe strategjia e Stalinit ishte që sulmin do ta ndalte në Gjibraltar, në përputhje me Testamentin e Pjetrit të Parë për pushtimin e Evropës nga Rusia. Sikur të ishte vënë në jetë ky plan, Perëndimi evropian do të qe katandisur të fliste me vete, siç u katandisën vendet e bllokut komunist. Por plani i Stalinit nuk u realizua se Hitleri, po sipas gjeneralit Ivanov, ia rrëmbeu iniciativën nga dora dy javë përpara, më 22 qershor 1941.
Sa për qëndrimin e Brukselizmit jo vetëm ndaj Shqipërisë Londineze, por edhe ndaj mbarë kombit shqiptar, nuk ka asgjë për t’u habitur. Kjo për faktin se Brukselizmi vepron në sinkroni të plotë me shovinizmin rusomadh, i cili ka qenë dhe vazhdon të mbetet armik i betuar i kombit shqiptar, sepse ka luajtur një rol vendimtar për copëtimin e trojeve tona etnike që prej Kongresit të Berlinit të vitit 1878, deri në Konferencën e Londrës të vitit 1913 dhe në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915, ku Rusia ka qenë violina e parë, për çka unë kam folur me gjuhën e fakteve në analizën me titull “Rusia, kjo armike e betuar e kombit shqiptar”, të botuar në internet në vitin 2009.
Feniks, Arizona
02 mars 2021