Bugajski: Serbia mund ta njohë Kosovën kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë

Uashington, 15 shkurt 2023 – Analisti i njohur amerikan i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janusz Bugajski, ka deklaruar se herët a vonë Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Por, sipas tij, kjo ka më shumë gjasa të ndodhë kur Rusia ta humbasë luftën në Ukrainë dhe rolin e saj në Ballkan.

Bugajski, në një intervistë për “Euronews Albania”, ka thënë se faktori ndërkombëtar duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë dhe ta kushtëzojë anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian me njohjen e Kosovës.

“Në fakt, jam optimist që kjo gjë do të ndodhë herët a vonë. Mbase nuk do të ndodhë gjatë kësaj qeverie, pra gjatë qeverisë së Vuçiqit. Gjasat janë më shumë që kjo të ndodhë kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë, të dobësohet dhe të mos ndërhyjë më në Ballkan. Dhe, me shumë gjasa, do të ndodhë kur Beogradit t’i vendosen kushte më të ashpra për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Me fjalë të tjera, ti pranon të hapet rruga e anëtarësimit në BE, në të kundërtën nuk ka mundësi anëtarësimi, por do t’i humbasësh dhe fondet e BE-së”, është shprehur Bugajski.

Ai ka thënë se mbështet kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

(r.m.)