Bujar Nishani, njeriu, politikani dhe shtetari që impononte respekt


Nga Lutfi Dervishi

 

Gjithmonë do të thuhen fjalë të mira për atë që ikën, por ikja e Bujar Nishanit, është e trishtë se ikën një shtetar, një politikan dhe një qytetar që emërues të përbashkët pati ndershmërinë, devocionin dhe principet për të cilat ai besonte.
Bujar Nishani është nga politikanët e rrallë që jo vetëm nuk është i përfshirë në afera korruptive, por as nuk është përfolur. Kjo nuk është pak në një vend ku topat e baltës nuk kanë kursyer askënd. Si drejtues i dikastereve të rëndësishme (Rendit dhe Drejtësisë) z. Nishani ishte nga ato shtetarë që ligjin e konsideronte të shenjtë dhe bashkëpunimin me krahun tjetër politik si normalitet që duhej vendosur në vend.
Si President, megjithëse erdhi nga karriera dhe votat e Partisë Demokratike ai qëndroi mbi politikën e ditës dhe në lartësinë e detyrës. I ndërgjegjshëm se në postin e lartë ishte me votat e shumicës, Bujar Nishani nuk cedoi pavarësisht se u ndodh nën presion si nga të vetët ashtu edhe nga shumica që erdhi në vend më 2013.
Cic -micet dhe grricjet e politikës së ditës i shihte nga një distancë e admirueshme dhe dinte të bënte dallimin mes interesave të ngushta të politikës së momentit dhe interesave afatgjatë të vendit.
Bujar Nishani, ende shumë i ri si ish President, vetëm 52 vjeç, u rikthye në politikën aktive të ditës. Ai kërkonte të kontribuonte aty ku mundej dhe Parlamenti ishte vendi që Bujar Nishani mund të jepte shumë.
Kjo nuk u bë e mundur, por nuk e demoralizoi. Përkundrazi. Ai nuk e ngriti kurrë zërin, por toni i tij në fund ishte i lartë.
Në disa raste kam patur fatin ta intervistoj si kryetar shteti- dhe më vonë si ish President. Një bashkëbisedues i këndshëm dhe nga politikanët e rrallë që nuk i shmangej pyetjes dhe ishte koherent me mendimet dhe vendimet që merrte.
Si bashkëbisedues Bujar Nishani ishte krejt tjetër nga shumica e politikanëve. Nga të rrallët që në tavolinë me të bëje bisedë tavoline, si për gjëra të rëndomta të ditës ashtu edhe për çështje serioze.
Bujar Nishani, ishte i vërtetë si qytetar, i vërtetë si politikan dhe një shtetar që sot e gjen vetëm nëpër manuale të politikës.
Bujar Nishani të impononte respekt edhe kur nuk ishe dakord me pikëpamjet e tij. Të impononte respekt si qytetar, si politikan, dhe pa dyshim edhe si President!
Lamtumirë Bujar Nishani!